Kosovari 16-vjeçar i Barcelonës po krahasohet me Iniestën

“Në fillim mendova se po bënin shaka. Por e pashë se ishte e vërtetë dhe isha shumë i lumtur. Jam krenar që jam në gjendje të luaj për Kosovën”, ka thënë Kabashi për “Barca TV” kur u pyet për ftesën e marrë nga Kosova. Ai është në formacion për dy ndeshjet e radhës të Kosovës, kundër Kroacisë dhe Ukrainës, shkruan sot Koha Ditore.

Labinot Kabashi po e pëlqen jetën. Në moshën 16-vjeçare, mesfushori i ri i Barcelonës është ftuar për të luajtur për Kosovën këtë javë. Por shumë tifozë të Barcelonës do të mundë të pyesin se kush është ky reprezentues i radhës që po del nga akademia e famshme La Masia.

Storia është mjaft interesante. Kabashi është lindur në Finlandë, ndërsa familja e tij ishte shpërngulur nga Kosova për t’i ikur pastrimit etnik të shqiptarëve nga forcat serbe.

Territori kontrollohej nga Serbia atëbotë, por që nga viti 2008 Kosova ka shpallur pavarësinë dhe vendi ka zhvilluar ndeshjen e parë si anëtare e FIFA-s në qershor kundër Ishujve Faroe.
FIFA u dha leje të veçanta disa lojtarëve për të përfaqësuar Kosovën, ndonëse ata kishin luajtur më herët me përfaqësuese të tjera, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po ashtu ka shikuar për talente të reja që mund të luajnë për përfaqësuese. Dhe një e ka gjetur në La Masia.