Kotzias: “Çështja çame” nuk diskutohet! Hahn gaboi, e refuzova kërkesën e Bushatit

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias hedh poshtë faktin që Athina dhe Tirana kanë përfshirë “çështjen çame” në çështjet pezull për t’u zgjidhur midis dy vendeve.

“Referenca e vetme në dokumentin e quajtur ‘non paper’, që iu kemi dorëzuar shqiptarëve, është fakti që ‘çështja çame’ nuk përbën objekt negociimi për shtetin grek”, ka deklaruar Kotzias në një intervistë në kanalin radiofonik “ALPHA 989”.

 Ai ka pranuar se, para 5 muajsh kishte hartuar një dokument “non paper”, që ia kishte dorëzuar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në të cilën propozonte për të diskutuar problemet që mbeten ende të pazgjidhura mids dy vendeve në 50 vitet e fundit.

“Por ka qenë pala shqiptare, që më bëri një kundërpropozim, i cili përfshinte edhe çështjen çame. Ne u thamë se kjo çështje nuk është objekt bisede, është jashtë negociatave dhe nuk e negociojmë atë”, ka deklaruar Kotzias, duke shtuar se për këtë janë informuar dhe europianët.

“Por ne nuk i vumë europianët të ndërmjetësojnë, sepse ne jemi duke negociuar me shqiptarët dhe shqiptarët me ne”,ka shtuar ai.

Përsa i përket përgjigjes së komisionerit Hahn, kreu i diplomacisë greke ka thënë se zyrtari europian ka bërë një deklaratë të pakujdesshme, duke thënë se Greqia po bisedon me Shqipërinë për “çështjen çame”, më pas kërkoi të falur, por gjithsesi ky referim la shenjën e vet.

Kotzias ka kritikuar gjithashtu disa forca në Greqi, të cilat sipas tij ose bëjnë sikur nuk dinë, ose gënjejnë publikisht, ndërsa ka shigjetuar mediat ekstreme të neoliberalizmit, të cilat qëllimisht thonë se Greqia po diskuton “çështjen çame”. “Këta njerëz janë të çmendur”, përfundon intervistën zoti Kotzias.

5 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com) / TCH