Kryeministër, a e din se sa familje të varfra dhe sa studentë do të ndihmoheshin me 1 milionë e 100 mijë euro, aq sa harxhove për festa të pavarësisë?!

Shkruan: Xhevdet Pozhari

Gjatë viteve të kaluara, Qeveria e Kosovës ndante rreth 70 mijë euro për festën e pavarësisë. Por, në vitin jubilar, në dhjetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, përmes një Këshilli Organizativ, me urdhër të Ramush Haradinaj u ndanë 600 mijë euro. Në shtetin më të varfër evropian erdhi dhe mbajti koncert këngëtarja me famë botërore, Rita Ora. Sivjet Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro! Nuk është bërë e ditur se si do të shpenzohen këto mjete, pos që është nënvijëzuar se këto para do të merren nga kategoria e shpenzimeve rezervë dhe do të barten në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Për dy vite kremtim, qeverisja Haradinaj shpenzoi 1 milionë e 100 mijë euro! Veç për 24 orë!

Qeveria e rreth 80 zëvendësministrave, qeveria e fryrjes së listave të veteranëve mashtrues, qeveria e shpenzimeve marramendëse, qeveria e cila prodhoi buxhet që 60% do të shpenzohet vetëm për paga dhe mëditje, vazhdon me traditën e saj të shpenzimit të parasë publike, pa merhamet!

E, derisa nuk ka raport të detajuar financiar se si janë shpenzuar 600 mijë euro gjatë vitit të kaluar, e më gjasë e njëjta situatë do të përsëritet edhe gjatë këtij viti, shtrohen disa pyetje shumë njerëzore!

– Kryeministër, a e dini se sa familje të varfra do të ndihmoheshin me 1 milionë e 100 mijë euro?
– A mendoni se sa studentë bursistë do të ndihmoheshin me këtë shumë?
– Sa jetë njerëzish që vuajnë nga sëmundje të ndryshme mbase edhe do të shpëtoheshin nëse do të krijohej fond i posaçëm, veçanërisht për ata që nuk i kanë mundësitë të kurohen?
– Kryeministër, a e dini se me 1 milionë e 100 mijë euro sa do t’ua lehtësonit jetën pensionistëve që marrin lëmoshë e jo pensione?

Me gjasë as që iu ka shkuar mendja, kryeministër! Sepse në të kundërtën, do të skuqeshit, nëse iu ka mbetur një trohe fytyrë për skuqje.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme