Kryeministër, mos i kërcëno deputetët!

Ganimete Asllani – Price
Pasi që shfrytëzuan vizitën e zv/presidentit amerikan për ta vendosur vijën kufitare me Malin e Zi si “kërkesë” të Amerikës, udhëheqësit tanë tash po përdorin edhe metodën e fundit për detyrim vote.

Duke përmendur organet e partisë, po ua rikujtojnë deputetëve se kush vendos për listën përfundimtare të kandidatëve për zgjedhjet e ardhme, të cilat, nëse jo sot, do të mbahen nesër.

PDK-ja është shumë e sofistikuar në këtë drejtim, sepse ata kanë hierarki edhe për këtë punë. LDK-ja në anën tjetër është shumë më e dobët. Kryeministri me pazotësinë e tij “elegante” ndërlidh votën për vijën kufitare me vlerat e një partie.

Kryeministër, jo vetëm kufiri, mirë e keq, drejt e shtrembër, por çdo vendim që prek marrëdhëniet ndërkombëtare nuk është vlerë e as problem partiak. Nëse ju kanë përkthyer keq, më falni, por unë jam shumë e bindur që as Amerika, e as Mbretëria e Bashkuar, e as një vend demokratik, nuk kërkojnë nga ju gjërat që ju dhe presidenti me qëllim po i keqinterpretoni.

Kryeministër, mos i kërcëno deputetët duke u mbështetur në “vlerat” e LDK-së. Një kryeministër që përfaqëson vlera nuk përdor shantazhe e akomodime për t’i bindur deputetët, por argumente bindëse të mbështetura në fakte.

Kjo është arsyeja pse ti je kryeministër, por nuk e udhëheq Qeverinë. Ministrat e Qeverisë të cilën ti ëndërron e që udhëheq, emërohen nga selia e PDK-së.

Ti je njëra ndër kukullat më trishtuese dhe të rrezikshme që ka pasur politika e pasluftës. Ti të vetmen fuqi që e ke si kryeministër është të kërcënosh deputetët e partisë tënde. Ti nuk ke si të prezantosh vlerat e LDK-së, sepse LDK-së tashmë i janë shkatërruar vlerat.

Një parti me ty në krye nuk ka si të ketë vlera. Nuk mund të konsideroj më vlerë një parti, kryesia e së cilës përbëhet nga servilë që të vetmin motiv në jetë kanë përfitimin personal.

Një parti anëtarët e së cilës durojnë përbuzjet dhe kërcënimet tuaja neveritëse. Bazuar në ato që thua publikisht, mund të paramendoj sa shpifëse janë mbledhjet partiake larg mediave.

Sikur të kishin vlera anëtarët e LDK-së do ta pranonin se zgjedhjet e fundit nuk i fitoi PDK-ja por i humbi LDK-ja për shkak se të zgjodhën ty kandidat për kryeministër.

Në vend që të ta blinin një tortë për festën e pensionimit ata iu nënshtruan plotësisht pazotësisë tënde për të marrë vendime. Kuptohet e gjithë kjo u bë në koordinim me ata brenda dhe jashtë partisë që përdorin ndjenjat tuaja personale për përfitime vetjake.

Se LDK-ja ka një shumicë absolute në këshillin drejtues që nuk mbron asnjë vlerë janë edhe skandalet e njëpasnjëshme. Nga shembujt e shumtë po e veçoj pengimin që të marrë pjesë dhe tërheqjen zvarrë të njërit prej anëtarëve më të vjetër (jo për nga mosha) të LDK-së. E pamë publikisht sa mbrojnë vlerat ata që ishin të pranishëm.

Me ato çka pate mundësi dënove ata që kundërshtuan bashkëqeverisjen me kushtin që Thaçi të jetë president, ata që nuk e ngritën dorën për një post. Sa keq që nuk na kanë njohur më shumë shtete, se edhe pozitat e ambasadorëve u shteruan. Kryeministër, ndoshta të kanë mbetur edhe disa manovrime ta miratosh vijën kufitare.

Por kjo nuk është çështja e fundit me të cilën do të përballesh, jo vetëm ti por edhe deputetët që do t’u nënshtrohen kërcënimeve tua. Nëse shpëton edhe kësaj radhe, do të përballesh me diçka edhe më të vështirë.

Çka do të bësh për bashkësinë e komunave? Prandaj në vend që të kërcënosh deputetët për ta ngritur dorën, ngriti duart ti dhe largohu. Mosha e bën të veten, kështu që mos na lejo të të kujtojmë si kryeministrin që dëmtoi vlerat e një populli bashkë me një oqean të korruptuarish.

Ti me grupin tënd, grupi “Pronto”, dhe të gjitha grupet brenda partive tjera, edhe pse do na harxhohen numrat romakë duke jua numëruar keqpërdorimet, mundeni vetëm të na dëmtoni, por kurrë nuk do na shkatërroni.

Populli është më i fortë se ju, pushtuesit shkojnë e vinë, nuk ka lidhje që ju flisni shqip. Edhe nga ju do të lirohemi një ditë!