Kryeministri në KEK, paralajmërohet riaktivizimi i dy blloqeve

“Kërkesa ime për drejtorin dhe për kolegët e tjerë është që të lëshojnë në prodhim çdo bllok të mundshëm dhe të luftohet për çdo megavat të vendit”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që sot i bëri Korporatës Energjetike të Kosovës, ku është pritur nga drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi me bashkëpunëtorët.

Fillimisht kryeministri Haradinaj ka vizituar Termocentralin ‘Kosova A’, ku është njoftuar për gjendjen e përgjithshme në KEK dhe prodhimin e energjisë. Më pas ai vizitoi Termocentralin ‘Kosova B’, ku ka zhvilluar një takim pune me drejtorët Ekzekutiv të KEK-ut.

Pas vizitave, kryeministri Haradinaj para mediave të pranishme tha se qëllimi i ardhjes së tij në KEK është për të parë nga afër se si është puna me blloqet, sa janë në funksion, sa janë në remont, si është dinamika e lëshimit në prodhim të blloqeve të tjera.

“U njoftova se edhe në ‘Kosovën A’ pritet së shpejti të lëshohet një bllok, mendohet të hënën, por edhe në ‘Kosovën B’ pritet të lëshohet blloku tjetër në prodhim”, tha kryeministri Haradinaj, duke thënë se aktualisht janë në prodhim rreth 530 megavat për konsumatorë, që i bie se rreth 400 megavat të tjerë duhet siguruar nga importi.

Duke folur rreth importit të energjisë, kryeministri Haradinaj tha se importi i ka dy të këqija, e keqja është se është import, pra është mall që nuk është prodhuar në Kosovë dhe e prish bilancin tregtar dhe shkakton pasoja për ne si Kosovë, por edhe se tani në dimër importi i energjisë është shumë i shtrenjtë.

Kryeministri Haradinaj tha se i është premtuar se nga 15 dhjetori do të prodhohen rreth 800 megavat nga KEK-u, në të njëjtën kohë kryeministri tha se duhet të bëhet kujdes që edhe gjatë këtij dimri të mbijetohet prodhimi.

Ai ka folur edhe rreth KEDS-it, duke thënë se kjo kompani është e Kosovës, por që investitori është i huaj dhe ka ardhur për të bërë biznes, për të fituar paratë e veta, por ka obligime ndaj konsumatorit dhe ndaj nesh, e në anën tjetër kryeministri Haradinaj tha se KEK-u është kompani vendore dhe duhet të jetë kujdestare që të ketë rrymë.

Në fund të fjalës së tij kryeministri Haradinaj ka vlerësuar se gjatë këtij dimri nuk bën të dështojnë, duke thënë se edhe viti i kaluar ka qenë tepër sfidues se s’ka pasur qymyr dhe eskavatorët nuk kanë qenë në funksion, fatmirësisht tani nuk e kemi atë gjendje.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, pasi ka falënderuar kryeministri Haradinaj për vizitën dhe kujdesin që ka treguar ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, tha se e ka njoftuar kryeministrin për aktivitetet që janë duke i zhvilluar si Korporatë Energjetike, në prodhimin aktual që kanë, problemet dhe planifikimet si dhe masat që i kanë ndërmarrë për që këtë dimër ta kalojmë sa më mirë.

Lini Një Koment