Kryetari i Pejës tender milionësh kompanisë nën hetime

Disa kompani edhe pse janë nën hetime, vazhdojnë të fitojnë tenderë. Njëra ndër to është edhe kompania “Conex Group”, e cila, edhe pse është nën hetime, është shpërblyer nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, për ndërtimin e murit mbrojtës në të dy anët e lumit Lumbardhë.

Organizata joqeveritare “ÇOHU” konsideron se ky proces tenderues duhet të hidhet poshtë ose të kthehet prapa.

Vlera e këtij tenderi kalon shumën prej 2.5 milionë euro. Komuna e Pejës për këtë i ka dhënë tenderin konsorciumit të përberë nga “Conex Group & Allzone&Tic”, duke anashkaluar faktin që njëra nga kompanitë në konsorcium “Conex Group” është nën hetime. Kompania “Conex Group” është duke u hetuar me dyshime për dallavere të mëhershme, ku ishte i përfshirë edhe kryetari i bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha, i cili përveç që ishte detyruar të jap dorëheqje nga ky institucion, kishte nxit reagime të shumta edhe tek përfaqësuesit e Bashkimit Evropianë, duke vënë në pikëpyetje punën e tij në këtë institucion si organ i pavarur.

Në këtë tender kishin konkurruar 16 kompani të cilat janë diskualifikuar edhe pse disa prej tyre kanë ofertuar me çmime më të lira se sa konsorciumi që është shpallur fituese. Por nuk mund të dimë arsyet pre Komuna e Pejës e ka shpall fitues konsorciumin ku në përbërje të saj është edhe kompania e cila është hetime.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Të pandehurit në këtë rast janë Hysni Hoxha, ish-kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Muhadri, ekspert i brendshëm shqyrtues në Organin Shqyrtues të Prokurimit, dhe dy përfaqësuesit e kompanisë “Conex Group”. Të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri, dyshohen se kanë kryer veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përkundër përpjekjeve të “KosovaPress”, për të marrë përgjigje nga zyrtarët e komunës së Pejës, duke përfshirë edhe kryetarin Gazmend Muhaxheri, ata nuk kanë preferuar të flasin për këtë çështje.

Blerim Nikçi, asamblist i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Komunën e Pejës, thotë se projekti për rregullimin e murit të Lumëbardhit është përcjell me parregullsi.

“Për sa i takon çështjes së projektit për rregullimin e murit të Lumëbardhit dhe shëtitores, që nga shpallja e tenderit për këtë projekt, është përcjellë me parregullsi e shkelje ligjore të përsëritura. Ne si AAK në vazhdimësi kemi ngritur shqetësimin për këtë çështje edhe në Kuvendin Komunal. Fillimisht Agjencia Kundër Korrupsion ka dhënë opinionin e sajë se ka pasur shkelje ligjore, pastaj komuna e Pejës ka anuluar tenderin tërësisht për shkak se Kryetari ka bërë shkurtimin e mjeteve për këtë projekt, organi shqyrtues i prokurimit ka lëshuar aktin përcjellës ne te cilin ka konstatuar se, komuna e Pejës nuk e ka të drejtën e anulimit të këtij tenderi dhe ka kërkuar që tenderi të shkoj në rivlerësim, e jo të anulohet në tersi. Mirëpo komuna e Pejës rivlerësimin e ka bërë me njerëz jo kompetent gjithnjë sipas OSHPS-së. Dhe kështu ka vazhduar kjo çështje”, ka thënë Nikçi, në përgjigje përmes post ës elektronike.

Ai po ashtu ka kritikuar udhëheqësit e Komunës duke thënë se ata po punojnë për interesa individuale me dyshime për keqpërdorime.

“Ky tender është treguesi më i mirë se ky pushtet komunal, së pari është i kapur nga interesat individuale dhe dyshohet për keqpërdorime, dhe se dyti këta nuk kanë aftësi për të zhvilluar projekte të mëdha për komunën tonë“, tha Nikçi.

Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv në “Çohu” thotë se kompanitë të cilat janë nën hetime dhe të dyshuar, nuk duhet të kontraktohen nga autoritetet publike.

“Një kompani e cila është me një proces gjyqësor së bashku me disa vepra që dyshohet që janë kryer së bashku me ish udhëheqësin e OSHP-së, nuk duhet që për një kohë të caktuar të bëhet pjesë ose të marr tender nga autoritetet publike kontraktuese.”, tha Demhasaj.

Por ai mendon se faji i komunës së Pejës në këtë aspekt qëndron tek dokumentacioni që janë të obliguara autoritetet kontraktuese me i kërkuar nga kompania.

“ Një ndër to është edhe dokumenti që kërkohet që pronari i kompanisë , ose kompania nuk është pjesë e ndonjë procesi të caktuar gjyqësor. Konsideroj që këtu komuna e Pejës ka rënë në lajthitje dhe ky është argumenti që ky proces tenderues duhet të hidhet poshtë ose të kthehet prapa për shkake se kompania është pjesë e procesit të hetimit të gjyqësor dhe ky tender duhet të refuzohet.”, tha Demhasaj.

Për këtë tender kompanitë e diskualifikuar kanë deponuar ankesë në OSHP. Mirëpo për të kuptuar se a është shqyrtuar ky rast, Kryetari i OSHP-së, Blerim Dina, përkundër insistimit të “KosovaPress”, ai është shmangur dhe nuk ka dashur të japë prononcim./koha.net

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë