Kuqezinjtë synojnë kthesën sot kundër Ukrainës

Ndaj Ukrainës për të ndërruar. Shqipëria zhvillon sot miqësoren e fundit para debutimit në Ligën e Kombeve në muajin shtator.

Kuqezinjtë do të sfidojnë në Evian të Francës, Ukrainën e Andriy Shevecenkos në një sfidë ka një rëndësi të veçantë sidomos për kuqezinjtë të cilët do të përpiqen me çdo kusht të reagojnë për të hedhur pas krahëve figurën e shëmtuar që bënë në sfidën kundër Kosovës.

Ukraina është një kombëtare dukshëm më e fortë se skuadra e Panuccit me bilancin që flet në favor të përfaqësues lindore që në 5 përballjet e mëparshme ndaj kuqezinjëve regjistron 4 fitore dhe 1 barazim.

Priten ndryshime në formacionin e Shqipërisë krahasuar me ndeshjen e fundit ndaj Kosovës. Në mungesë të Strakoshës, porta do t’i besohet sërish Etrit Berishës. Kthehet nga dëmtimi Ermir Lenjani i cili do të vendoset në krahun e majtë të mbrojtjes, në formacion rikthehet edhe Mërgim Mavraj që do të formojë dyshen e qëndrës së prapavijës me Berat Gjimshitin, ndërsa në të djathtë do të jetë i përhershmi Elseid Hysaj.

Kabina e regjisë në mesfushë do t’i takojë mesfushorit të Skënderbeut Sabien Lilaj i cili do të mbështetet nga dyshja Ramadani-Ndoj, dy lojtarë që deri para pak kohësh ishin pjesë e kombëtares Shpresa por për shkak të mungesave të shumta në këtë repart do të luajnë sfidën e dytë radhazi si titullarë.

Në krahun e djathtë të mesfushës do të jetë si gjithmonë Odise Roshi ndërsa balotazh është në krahun e majtë aty ku rivalizojnë për një vend dy lojtarë që vinë nga kampionati shqiptar por që sipas të gjitha gjasave ashtu si Abazaj edhe Gavazaj do të luajë në një kampionat të rëndësishëm europian sezonin e ardhshëm. Futbollisti i Skënderbeut është favorit për një fanellë titullari, pasi Abazaj ditët e fundit është stërvitur veçmas për shkak të një goditjeje.

Në sulm Rey Manaj ka fituar balotazhin me Sokol Cikalleshin, Bekim Balajn dhe Sindrit Gurin dhe do ta nisë që nga fillimi edhe pse në momentin kur Panucci shpalli listën e lojtarëve të grumbulluar për këto dy miqësore, sulmuesi i Granadas ishte më pak i kuotuari për të luajtur.

Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes trajneri Panucci u shpreh se ndaj Ukrainës do të shikoni Shqipërinë e vërtetë por kjo mbetet për t’u parë sot në orën 16:00 në stadiumin modest të qytetit të Evian në Francë prej vetëm 3500 vendesh.

 

Lini Një Koment