Kurti: Nëse respektohen masat nga të gjithë, kthimi në normalitet nga muaji maj

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e arsimit Hikmete Bajrami, ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ministrja në detyrë e Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi, në një takim pune për koordinimin rreth menaxhimit të situatës emergjente të krijuar nga pandemia e koronavirusit, ka vizituar të mërkurën Pejën, ku kanë takuar kryetarin e kësaj Komunë, Gazmend Muhaxherin dhe stafin e tij të ekzekutivit komunal.

Në këtë takim, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke treguar qëllimin e kësaj vizite, për gjetjen e mënyrave që kriza tw kalohet me sa më pak pasoja, ka thënë se Qeveria dhe ekipi menaxhues i situatës, po bëjnë përpjekje që nga muaji maj të fillohet gradualisht kthimit në normalitet, me kushtin, nëse tregohet kujdesi dhe nëse vazhdohet nga të gjithë të respektohen rregullat e sidomos lëvizjet nëpër sheshe, parqe dhe markete.

“I gjithë ky kujdes ka rëndësinë e vet, pasi vaksina për luftimin e COVID-19 nuk është prodhuar ende dhe kurdo që të dalë në treg”, siç tha Kurti, “ajo do të shpërndahet së pari në vendet me prioritet më të madh”.

“Edhe kurdo që ajo del në treg do të kushtojë shumë dhe ndoshta ne si vend nuk do të kemi mundësi ta përballojmë koston”, tha Kurti, i cili informoi kreun e komunës së Pejës edhe paketën e lancuar për tejkalimin e krizës, e cila sipas Kurtit, ofron disa masa të ndryshme të ndihmës, ndër to edhe masa për përkrahjen e bizneseve.

“I ftojmë bizneset që të aplikojnë për të përfituar ndihmën që e meritojnë dhe që ju takon”, u shpreh Kurti, i cili nga kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri u informua për numrin e të infektuarve nga COVID-19 në këtë komunë, që janë aktualisht vetëm gjashtë persona, pesë prej tyre në fshatin Llugaxhi dhe një në lagjen Dardania në Pejës, por të gjithë në lidhje familjare mes veti, transmeton KOHA.

Për shkak të parandalimit më të mirë të shpërhapjes së këtij virusi dhe menaxhimit edhe më të mirë të situatës, Muahxheri kërkoi nga kreu në detyrë i Qeverisë që të rritet numri i testimeve të personave që janë të dyshuar të jenë të infektuar me COVID-19.

“Po ashtu është mirë që të bëhen testimet edhe post-mortem, sepse po ndodh që ata të kenë qenë të infektuar por nuk kanë pasur simptoma”, tha Muhaxheri, i cili ngriti shqetësimin e tij se qytetarët ende nuk janë duke i respektuar në nivel të duhur thirrjet për të qëndruar në shtëpi.

“Vërehet se ka shumë lëvizje në sheshe, në parqe e në supermarkete. Si komunë kemi hequr dorë me nxjerrjen e vendimeve në lidhje me masat e luftimit të COVID-19, do të veprojmë vetëm sipas vendimeve të Qeverisë”, tha Muhaxheri, të cilit ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, i tha se numri i vogël i testeve po ndodh për shkak të numrit të vogël të mikrobiologëve në Kosovë.

“Janë vetëm 3 mikrobiologë specialistë. Ka edhe mikrobiologë tjerë, por nuk i kanë kualifikimet e duhura dhe nuk mund t’ju besojmë ekzaminimeve të tyre. Janë gjithsejt në dispozicion 45 infektologë, më pak se kaq ka epidemiologë, e edhe më pak ka mikrobiologë. Është e domosdoshme që në supermarkete të ketë persona të angazhuar ekstra për dezinfektimin e karrocave pas çdo përdorimi”, tha Vitia.

Para se ta vizitonte Pejën, të mërkurën, kryeministri në detyrë bashkë me tre ministrat, kanë takuar në Klinë, kryetarin e kësaj komune, Zenun Elezaj, i cili, sipas zyrës së informimit të kësaj komune, ka falënderuar kryeministrin Kurti për vizitën dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve gjatë kësaj kohe të përhapjes së pandemisë Covid-19/ koha.net, Ilir Osmanaj

  

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme