“Me Sulejman Ugljaninin e me shumë përfaqësues të tjerë nga PADS kemi patur bashkëpunim në të shkuarën e do të kemi edhe më shumë në të ardhmen. Andaj shfrytëzoj rastin për t’ua uruar tridhjetë vjetorin e krijimit të PADS”, shkruan Kurti.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se veprimtaria e kësaj partie “në mbrojtje të interesave të popullit të Sanxhakut, shqiptarëve e boshnjakëve të atjeshëm, për tre dekada me radhë ka qenë konsistente”.

“Më 29 korrik të vitit 1990, një grup veprimtarësh nga Sanxhaku, krijuan Partinë e Aksionit Demokratik të Sanxhakut, fillimisht si degë e subjektit SDA që drejtohej nga ish Presidenti Alija Izetbegoviq. Veprimtaria e PADS në mbrojtje të interesave të popullit të Sanxhakut, shqiptarëve e boshnjakëve të atjeshëm, për tre dekada me radhë ka qenë konsistente. Edhe veprimtari kryesor i kësaj partie, Sulejman Ugljanini, i cili është shkolluar në Kosovë, flet shqipen e boshnjakishten dhe përfaqëson takimin e këtyre dy kulturave në atë krahinë, e cila jo më larg se shtatë dekada më parë ka patur shumicë shqiptare. Në vitin 1991, PADS organizoi referendum për autonomi të Sanxhakut, ku morën pjesë mbi 70% e qytetarëve dhe votuan PËR. Ai referendum nuk u njoh nga Serbia, mirëpo beteja politike kundër diskriminimit dhe për autonominë vazhdon”, shkruan Kurti. /Telegrafi/