Kuvendi i Prishtinës: Lirojeni Ramushin sa më parë

Asambleja e Komunës së Prishtinës ka miratuar një deklaratë të përbashkët për lirimin e Ramush Haradinajt.

Më poshtë e gjeni të plotë deklaratën.

DEKLARATË

  1. Ne, asambleistët e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, përfaqësues të qytetarëve të Prishtinës, pavarësisht përkatësisë dhe orientimeve politike, përmes kësaj deklarate, shprehim shqetësimin dhe kundërshtimin tonë lidhur me ndalimin dhe mbajtjen e padrejtë të z. Ramush Haradinaj nga institucionet e Drejtësisë në Francë, me fletëarrest të lëshuar nga Serbia.
  1. Vendimin për ndalimin e tij nga Shteti mik Franca, e konsiderojmë si të padrejtë dhe të pajustifikueshëm, sepse ish-komnadanti i Zonës Operative të Dukagjinit dhe ish-Kryeministri, Ramush Haradinaj, e ka dëshmuar me shkuarjen vullnetare në Tribunalin e Hagës, i cili Tribunal në të dy shkallët e vendosjes e ka konfirmuar pafajësinë e tij dhe e shpalli të pafajshën në të gjitha aktakuzat, duke e lënë atë të lirë.
  1. Ne besojme fuqishëm se Lufta e UçK-së dhe z. Ramush Haradinaj, ka qenë çlirimtare dhe e pastër, pavarësishtë tendencave të Serbisë për ta kriminalizuar atë. Ne e çmojmë lart kontributin e z. Ramush Haradinaj dhe familjes Haradinaj në luftën për çlirim dhe të Pavarësisë e Shtetëndërtimit të Kosovës, dhe kërkojmë nga drejtësia e Francës që ta lirojë sa më parë.
  1. Gjithashtu, kërkojmë edhe nga institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare që të punojnë seriozisht, duke shfuqizuar të gjitha fletarrestet e ngritura nga Serbia dhe në ndërprejrjen e praktikave të ndejkjes së ish-komandantëve dhe luftëtarëve të Lirisë në emër të aktakuzave fallse të ngritura nga një shtet, i cili edhe sot e kësaj dite nuk u pendua për gjenocidin e bërë ndaj Popullit Shqiptar.

Prishtinë, më 07.02.2017