Lajm i keq për Kosovën para ndeshjes me Anglinë

Kombëtarja e Kosovës e di se çfarë e pret nesër në mbrëmje (20:45), teksa do luajnë në tokën ku edhe u zbulua sporti i bukur i futbollit, në Angli.

‘Dardanët’ janë plotësisht të vetëdijshëm se me çfarë kundërshtari do kenë punë të martën, njëherësh janë edhe lider të grupit A në kualifikueset për Euro 2020.

Statistikat sigurisht flasin në favorin e ‘Tre Luanëve’, mirëpo befasitë gjithmonë janë të mirëpritura, shkruan lajmi.net.

Anglia nuk ka pësuar asnjë humbje në ndeshjet kualifikuese (qoftë evropian apo botëror) që nga tetori i vitit 2009, asokohe u mposht nga Ukraina me rezultat minimal.

Që nga ajo kohë, ekipi i Gareth Southgate ka luajtur 42 ndeshje kualifikuese – duke marrë 33 fitore dhe 9 barazime.

Në anën tjetër, Kosova nuk e njeh humbjen tash e dy vite. Disfata e fundit ishte ajo ndaj Islandës në kualifikueset e Botërorit.

Nesër, nga ora 20:45, në stadiumin e Southampton zhvillohet ndeshja mes dy ekipeve të pamposhtura në grupin A të kualifikuesve për Euro 2020.

Lini Një Koment