Lama dekretohet për ambasadore

Alma Lama ka marrë dekretimin e presidentit Hashim Thaçi për ambasadore në Romë të Italisë. Emërimi i deputetes Lama vjen tri ditë pas raportimit të gazetës se dekretimi është bllokuar për shkak të mungesës së votave të koalicionit për votimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Për marrjen e dekretimit ka shkruar vetëm Lama në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.

“Dëshiroj t’ju njoftoj se sot mora dekretimin për të përfaqësuar si ambasadore Republikën e Kosovës në shtetin e Italisë. Po kështu dhashë dorëheqjen nga posti i deputetes së Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Lama, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ajo e ka quajtur moment emocional dekretimin. “…sepse kam investuar shumë nga energjitë e mia në këtë punë dhe ishte krijuar një lidhje shpirtërore”.

Deputetja e deritashme e LDK-së ka thënë se është privilegj të jesh përfaqësues i popullit, ashtu sikurse është përgjegjësi e madhe.

“Ajo çfarë më bën krenare është se prej ditës së parë që kam shkelur në Kuvend, kam punuar me përkushtim maksimal që të përfaqësoj denjësisht interesat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Kam punuar me idealizëm, me kaq shumë idealizëm sa për disa njerëz është i pakuptueshëm. E për disa të tjerë, është bërë motiv për të më sulmuar pa zgjedhur mjete”, ka shkruar më tej Lama.

Propozimi i Lamës për ambasadore në Romë ka ardhur pasi ajo kishte mundësuar kuorumin në kuvend, me rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçit në krye të Presidencës.

Lama kishte qenë një kundërshtare e madhe e Thaçit, duke thënë se nuk do t’ia mundësonte asnjëherë që një njeriu të “korruptuar” t’i kapë majat e pushtetit.

Por vetëm dy muaj më pas, Lama ndryshoi qëndrim duke kontribuar në zgjedhjen e Thaçit, përmes prezencës fizike dhe pjesëmarrjes në votim.