Lavrov: Ballkani, linjë e re konfrontimi në Evropë

Në fjalimin e mbajtur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB, të premten më 28 shtator, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov shprehu shqetësimin e tij për atë që e quajti “linjë të re konfrontimi në Evropë”, Ballkanin.

“Ne jemi të shqetësuar nga dëshira për të hapur një linjë tjetër konfrontimi në Evropë, kësaj here në Ballkan. Shteteve të rajonit po u kërkohet me insistim të futen në NATO. Duke përsëritur mantrat për papranueshmërinë e çdo lloj ndërhyrjeje në çështjet e tyre të brendshme, liderët europianë dhe amerikanë janë duke bërë personalisht fushatë për futjen e vendeve të Ballkanit në Aleancën Euroatlantike”, tha Lavrov.

“Në Kosovë, prania ushtarake e autorizuar nga Këshilli i Sigurimit të Komebev të Bashkuara është transformuar në bazë ushtarake amerikane. Forca ushtarake kosovare është krijuar. Marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit ndërmjetësuar nga BE nuk është zbatuar”, tha Lavrov, që i bëri thirrje palëve”të angazhohen në dialog në përputhje me principet e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit”.

Ndryshe nga të gjithë palët e angazhuara në rajon që kërkojnë zgjidhje të pranueshme si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, Lavrov kërkon zgjidhje të pranueshme për Serbinë.

“Ne do të mbështesim një vendim që do të jetë i pranueshëm për Serbinë”, tha ai pa përmendur si do të jetë kjo zgjidhje.

Maqedonia

“Në përgjithësi ne inkurajojmë Ballkanin të mos kthehet sërish në arenë konfrontimesh ose të mos deklarohet pronë e dikujt. Njerëzit e vendeve të Ballkanit nuk janë të detyruar të përballen me zgjedhje të gabuara dhe duhet të parandalojnë shfaqjen e linjave të reja ndarëse”, duke patur këtu parasysh Maqedoninë dhe referendumin e atjeshëm, por pa e përmendur emrin e vendit.

Këtë e bëri më vonë. Mbas fjalimit që mbajti në Asamble, ai iu prezantua gazetarëve në një konferencë shtypi ku u pyet për pikëpamjet ruse për kriza të ndryshme në botë përfshirë Lindjen e Mesme, Indinë, Koretë, Venezuelën dhe Ukrainën.

Pa u pyetur ai foli për Maqedoninë në konferencën e shtypit, duke e marrë si shembull për ndërhyrjet e huaja. “Shikoni çfarë po ndodh para referendumit në Maqedoni. Liderët e vendeve të BE, personalisht, dalin në publik duke thënë, ju duhet të bëni një zgjidhje në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe BE, dhe të ndryshoni emrin po ashtu. E njëjta gjë është kërkuar edhe nga liderët amerikanë, së fundmi nga zoti Mattis, ministri amerikan i Mbrojtjes. Përfaqësuesja e lartë e BE, në një deklaratat në fillim të muajit tha se Ballkani është territor i Bashkimit Europian. Pra, aty ku jemi ne, nuk ka vend për të tjerët”, tha Lavrov.

Federata Ruse ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, organin vendimmarrës të OKB-së, dhe ka bllokuar me veto të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të pëlqyeshme nga të dy palët në konfliktin Kosovë Serbi./dw

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme