Lekaj: Të zhdukurit, plagë e Kosovës që s’po shërohet

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, ka thënë se edhe pas 17 vjetësh, fati i të zhdukurve të luftës së fundit nuk po zbardhet.

Ai tha se i bashkohen thirrjes së familjeve të të zhdukurve që mos të vazhdohet edhe më tutje me ketë enigmë e cila vetëm sa i shton dhimbjet e familjarëve për më të dashurit e tyre.

“Institucionet e Kosovës, nuk duhet të kenë as edhe një ditë bisedime me shtetin i cili edhe i shkaktojë viktimat edhe nuk po jep as me të voglën informatë për fatin edhe të mbi 1500 të zhdukurve. Institucionet shtetërore nuk po e kuptojnë ose po bëhen kinse s’po e kuptojnë lojën e turpshme të Serbisë me fatin e atyre që i provojë nga jeta padrejtësisht para 17 viteve. Në vend të penalizmit të saj për ato çka i ka shkaktuar në Ballkan, Serbia po “përkëdhelet” dhe po i bëhen koncesione të tjera në kurriz të Kosovës”, ka thënë Lekaj.

Ai edhe njëherë iu ka bërë thirrje të gjithë aktorëve, vendorë e ndërkombëtarë, që të rritet trysnia ndaj Serbisë e të bëhet e mundur zbardhja e fatit të të gjithë personave të zhdukur.