Letër BE-së: Reagoni ndaj propagandës së medieve të Vuçiqit!

Mediet në Serbi, të cilat dirigjohen nga kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, kanë nisur një fushatë të rrezikshme propaganduese me fotomontazhe me qëllim destabilizimin e situatës në Kosovë dhe ndjelljen e frikës tek komuniteti serb. Gjuha e kolegëve tanë në Serbi, të orkestruar nga kryeministri i tyre, është duke nxitur urrejtje me materiale të rrejshme dhe deri më tash nuk ka asnjë reagim nga autoritetet ndërkombëtare për këtë fushatë të rrezikshme. Kjo situatë rrezikon ashpër stabilitetin mes dy vendeve dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë këtë veprim të politikës së Beogradit. Mediet kryesore në Serbi sot shkruajnë:

“Kurir”: Ja si jetojnë Serbët në Kosovë: Kemi frikë edhe të flemë! Mungon vetëm një shkëndijë që të kulmojë çdo gjë.

“Frika”: Më shumë se 500 qytetarë nga pjesa veriore e Mitrovicës kanë protestuar të ura sepse ishin të shqetësuar se forcat shqiptare do të hyjnë në pjesën e tyre të qytetit. Pas vendimit të Prishtinës që ta ndërpresë dialogun me Beogradin, në veri të Kosovës gjatë ditës së djeshme u ndie një situatë tepër e tensionuar. Njëkohësisht në jug të Serbisë u ngrit gatishmëria e ushtrisë dhe u sigurua prania e njësive speciale të MPB-së së Serbisë.

“Informer”: Vuçiqi mbi kërcënimet shqiptare: I kanë muret 4 metra të larta rreth shtëpive të tyre dhe u pengon rrethoja 80 cm e lartë.

Ja çfarë ua vranë sytë shqiptarëve. I kërcënojnë serbët për shkak të murit në urë në Mitrovicë.

“Srbija Danas”: Serbët nga veriu dhe nga jugu i Kosovës janë të frikësuar për shkak të atmosferës e cila po krijohet, e cila i përngjan asaj nga kohërat e persekutimit të popullsisë serbe, vlerësuan sonte zëvendësi i kryeministrit kosovar, Branimir Stojanoviq, dhe kryebashkiaku i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Edhe po ta paguaja me kokën time, i mbushi të gjithë mend!

“Blic”: Të armatosur deri në dhëmbë e maltretojnë këdo që munden. Përditshmëria e ashpër e serbëve në Kosovë, të rrethuar me njësi speciale shqiptare. I maltretojnë gratë, vajzat, fëmijët, i ndalin në rrugë, u bërtasin….

Këto janë shkrimet propagandiste të Beogradit gjatë ditës së sotme që për qëllim kanë të mbjellin frikë te komuniteti serb në Kosovë dhe të nxisin urrejtje, t’i pengojnë proceset e Kosovës. Mediet në Serbi orkestrohen nga kryeministri i saj, i cili rolin e medieve në shpërndarjen e gjuhës së urrejtjes e ka diplomuar gjatë viteve të nëntëdhjeta kur ka qenë ministër i Informimit. E gjithë kjo bëhet me qëllim të mbledhjes së votave dhe ikjes nga realiteti, i cili është më se i qartë në Beograd: gjendja e tmerrshme në ekonomi, shëndetësi, arsimim dhe në çdo fushë tjetër. Pra, për të fituar vota dhe për t’i harruar të gjitha ato probleme koka e publikut të gjerë kthehet çdoherë para zgjedhjeve – drejt Kosovës.

U bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar, ambasadave në Kosovë, Zyrës së BE-së në Kosovë, që për të mirën e qytetarëve tanë, të paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit të reagojnë ndaj këtyre shkrimeve të Rreme, t’i gjykojnë ashpër dhe ta dënojnë Serbinë për veprime të tilla mizore. Është dëshpëruese sesi zyrtarja e lartë e OSBE-së, Dunja Mijatovic, e cila ka mision medien e lirë dhe të pavarur, të mos reagojë deri më tash ndaj kësaj fushate të tmerrshme mediale në Beograd