“Liberalizimi i vizave vështirë se do të ndodhë sivjet”

Njohësi i proceseve evropiane, profesori Vigan Qorrolli, ka vlerësuar se agjenda evropiane e Kosovës ka stagnuar për shkak të zhvillimeve të fundit.

Ai ka thënë se zgjerimi i Unionit Evropian me anëtarë të rinj tani për tani është një mision i pamundur prandaj, sipas Qorrollit, edhe perspektiva evropiane e Kosovës është zbehur. Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se, bazuar në gjendjen aktuale, liberalizimi i vizave vështirë se do të ndodhë në vitin 2017.

Sipas Qorrollit, kushdo që emërohet në krye të Ministrisë së Integrimit Evropian, liberalizmi i vizave prapë do të vonohet dhe do të stopohet nga faktorët e jashtëm të cilët nuk janë në disponim për t’ia dhënë Kosovës rrugën që e meriton.

“Përgjithësisht ka një stagnim të kësaj agjende për shkak të disa ngjarjeve të paparashikueshme të cilat kanë ndodhur kohët e fundit, e që lidhen me asociacionin e komunave me shumicë serbe, por edhe me ndërtimin e një muri i cili duket se është negociuar padrejtësisht nga autoritetet serbe dhe kosovare me ndërmjetësimin e Brukselit”

” Duke qenë se Brukseli është jashtëzakonisht i lodhur nga zhvillimet gjeopolitike, me daljen e Britanisë së Madhe, me efektin Trump i cili patjetër po ndërhyn në politikën botërore dhe në atë të Unionit Evropian, zgjerimi i Unionit Evropian me anëtarë të rinj, ku përfshihet edhe Ballkani Perëndimor, tani është një mision i pamundur”

” Prandaj procesi i anëtarësimit të shteteve të Ballkanit, por përgjithësisht edhe perspektiva evropiane e Kosovës, është zbehur duke qenë se palët negociuese, Kosova dhe Serbia, janë të ngadalshme në realizimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit, prandaj edhe Brukseli nuk sheh ndonjë perspektivë për këto dy shtete për t’u anëtarësuar një ditë”, ka deklaruar Qorrolli.