Libri i ëndrrës serbe apo libri i makthit serb

Marko Zhivkoviq është antropolog serb që hyn në pakicën e akademikëve serbë që kanë demistifikuar gjithë mitologjinë serbe të riinkarnuar rrmyeshëm gjatë regjimit të Millosheviqit. Së basku me Ivan Qolloviq, kanë tentuar të hedhin pak dritë në mendimin serb për Kosovën nga terri hipnotizues i filozofisë së Akademisë së Shkencave të Serbisë, Kishës Ortodokse Serbe dhe medieve promillosheviqiane beogradase.

Arsim Canolli

Imagjinata kulturore apo ajo që mund të imagjinohet nga një popull i caktuar është jashtëzakonisht esenciale për shëndetin e atij populli. Në fakt imagjinata e thellë krijon letërsinë, muzikën dhe gjithë artet e një populli apo vendi, duke ia ruajtur atij vendi apo populli emëruesin e përbashkët universalist për konceptin e të bukurës që del nga gjithë frymëmarrja artistike.

Por, shpeshherë imagjinata ngatërrohet me fantazinë. Dallimi mes tyre është se imagjinata do të duhej të kuptohej si hapje e mundësi konstante e gjurmimit të së bukurës, të mishëruar në përjetimin njerëzor të objektivuar në art. Ndërsa fantazia është ngulitja e syve imagjinarë në një pikturë të vetme mentale dhe fetishizimi i saj. Megjithatë, ekziston fjala imagjinatë shpeshherë përdoret për të nënkuptuar pikërisht fantazinë. Madje së fundi, hasim edhe në konceptin e “imagjinares” si një lloj imagjinariumi apo një mozaik imazhesh që mund të formësojnë galerinë mentale të një individi apo grupi. Por, nuk ka rëndësi edhe aq varianti apo sinonimi i fjalës sa ka rëndësi kuptimi që merrë kur hyn në punë në krijimin e argumentit.

Secili popull ka imagjinatën e vetë dhe fantazitë e veta. Thamë që varësisht prej masës së imagjinatës varet edhe krijimtaria kulturore e artistike e atij vendi. Kultura e një vendi, në sensin antropologjik të fjalës, themelon edhe frymëmarrjen politike e ekonomike të atij vendi. Në fakt, kultura është ndër më përcaktueset për zhvillimin e kulturës politike; dhe pikërisht kultura lejon konceptin e përfshirjes apo përjashtimit brenda sheshit politik. Pa dyshim, se kemi raste kur as kultura nuk është përcaktuese, por më përcaktuese është ajo se sa gjeografia. Në librin e tyre “Pse dështojnë kombet” Daren Acemoglu dhe James Robinson, theksojnë se kryesorja është politika, por nënkuptojnë se kultura është po ashtu esenciale. E si kundërargument ndaj tezës së tyre se kombet dështojnë për shkak se dështon zhvillimi i politikës përfshirëse (inkluzive), mund të theksohet vetë ideja e “imagjinatës evropiane” apo “perëndimore”. Relativistët kulturorë radikalë zgurdullojnë sytë kur dëgjojnë ide të tilla, por realiteti empirik që variantëzon filozofinë relativiste po ashtu nxjerrë në pah se në shumicën e vendeve perëndimore mbizotëron ideja e përfshirshmërisë. Në fakt këtu vende e kanë bërë kontratë shoqërore themelore këtë ide. Pa dyshim se edhe shumë politologë synojnë të hedhin një mijë e një argumente për të këqijat e “neoliberalizmit”, por realiteti thekson se njeriu i thjeshtë ik nga vendi i tij kulturor në karavane të mëdha drejt neoliberalizmit dhe këtë e bën jo për të shkuar në “ferr” por në “parajsë”. Të gjithë pajtohemi se vendet perëndimore s’janë perfekte për të jetuar, por askush me logjikë të shëndoshë nuk mund të thotë se nuk janë më të mirat në aspektin politik.

Në dekadat e fundit të shekullit XX, Perëndimi u sulmua nga kultura mohuese e akademikëve dhe artistëve postmodernë. Sipas tyre, Perëndimi dhe vlerat e ashtuquajtura perëndimore janë raciste, kolonialiste, mitologjike, orientaliste, patriarkaliste e me radhë. Aradhat e historianëve, antropologëve, letrarëve e sociologëve majtistë shpallë “vdekjen e autorit” (që do të thoshte vdekja e autoritetit perëndimor), “shpikjen e traditës” (që do të thoshte delegjitimimin e kulturës ceremoniale perëndimore), “shteti kopshtar” (që synon të luftojë dëmet e së neoliberalizmit që ka potencial vrastar përmes shembullit të nazizmit të pashembullt vrastar), e shumë koncepte tjera. Por, autori në kulturën perëndimore nuk ishte diktatori që kemi parë në kulturat tjera. Nuk ishte as Mao as Stalini që krijonte kanone vlerash nga ideja e diktaturës. As tradita nuk shpikej në vendet perëndimore për të instrumentalizuar një popull të tërë sikurse në vendet tjera. As shteti kopshtar i herrun e ujitur nga kanceri neoliberalist nuk ishte njësoj sikurse shteti kopshtar i Enver Hoxhës. Po, në raste të caktuara si në vendet komuniste, në disa shtete despotike afrikane e aziatike, të gjitha këto teori kanë vend. Pa dyshim se Gjermania naziste, Shqipëria enveriste, Rumania çausheskiste, janë fort adekuate si evidenca historike për këto koncepte. Por, pak hyjnë në punë për të analizuar realisht kulturën politike të vendeve perëndimore si Britania, SHBA-ja, Kanadaja, Franca, etj.

Por, në raste specifike, brenda Evropës, e sidomos në rajonin e Ballkanit, edhe pas rënies së komunizmit, dolën në pah ideologji të bazuara në “imagjinarium” apo “fantazi” fikse, sa që jo vetëm këto koncepte por edhe një gjuhë apo diskurs i veçantë nevojitet për ta analizuar. Këtë gjuhë, e ka tëholluar edhe antropologu serb Marko Zhivkoviq, në librin e tij “Libri i ëndrrës serb: imagjinarja kombëtare në kohën e Milosheviqit” (Serbian Dreambook: National Imaginary in the time of Milosevic, 2011). Zhivkoviq është antropolog serb që hyn në pakicën e akademikëve serbë që kanë demistifikuar gjithë mitologjinë serbe të riinkarnuar rrmyeshëm gjatë regjimit të Millosheviqit. Së basku me Ivan Qolloviq, kanë tentuar të hedhin pak dritë në mendimin serb për Kosovën nga terri hipnotizues i filozofisë së Akademisë së Shkencave të Serbisë, Kishës Ortodokse Serbe dhe medieve promillosheviqiane beogradase.

Në këtë libër Zhivkoviq diskuton për “tregimet që serbët ua tregojnë vetes (dhe të tjerëve) për veten”, të cilat themelojnë imagjinariumin serb dhe shndërrohen në libër, apo bibël të ëndërrimit të tyre. Ndonëse Zhivkoviq është antropolog, dhe objekti i studimit të secilit antropolog është jeta e përditshme shoqërore, ai fut nën llupë krijimtarinë e akterëve botëkuptimorë serbë, kryesisht të jetës publike që nga akademikët e politikanët deri te regjisorët e këngëtarët. Në kontekst të gjerë ai flet për “realizmim magjik ballkanik”, ndërsa serbët i sheh si besimtarë t’bam mgji duke u sjellur në mënyrë rituale rreth strumbullarit mitopoetik të betejës së Kosovës. Prandaj, edhe duke tërhequr një analogji me aborigjenët australianë thekson se gjithë kjo sugjeron se në një farë mënyre serbët janë “populli i ëndrrës mbi Kosovën”.

Në kapitullin e parë Zhivkoviq, jep një panoramë impresioniste të jetës së vrojtuar në Serbi, kryesisht në Beograd, gjatë viteve 90-ta, ku pamja kryesore e kësaj ftese deskriptive në jetën sociale është ajo e përthyrje së “katunarisë” dhe “qytetarisë” serbe, në mënyrën më paradoksale të mundshme sipas tij. Kur përshkruan sjelljen e përditshme në tregjet e Beogradit, pamjet dalin sikur të ishin pothuajse në secilin kryeqytet të rajonit. Katundari i ramë n’qytet sillet me katundarin e zhdjergun për një ditë duke i dhënë shenja që nënkuptojnë se ndonëse fshihet pas performancës qytetare ai ia din trikat dhe e njeh “mentalitetin” sepse prapa petkave të tij ai është esencialisht katundar, por i rafinuar nga mishërimi në “kulturën qytetare”. Në anën tjetër, posa t’ia përqesh produktin që katundari i zhdjergur ka vendosur në tezgë duke i thënë se “koka i prishtë” ose “thesi koka i zbraztë brenda”, ky i fundit e ofendon duke i thënë “ec more katundar!”, ndonëse vetë është katundar. Pastaj Zhivkoviq vazhdon të përshkruaj jetën e viteve 90 në Beograd duke dhënë përshkrime e mendime për “sponsorusat” , veturën Fiqa, romët e Kosovës në Beograd, kiosqet e Millosheviqit, riemërtimin e rrugëve të Beogradit disa herë me radhë, Rrugën Marshall Tito, etj.

Kapitulli për “fushorët” dhe “malësorët” apo personalitetin e tipeve kulturore serbe është kapitulli mjaft relevantë për njohjen e botëkuptimin të përgjithshëm serb, që ka arritur kulmin në kohën e inxhinieringut ideologjik të regjimit të Millosheviqit, duke u shndërruar në kulturë politike vrastare. Aty flet për studimet serbe mbi ndarjen tipologjike kulturore mes serbit dinarik dhe serbit të Moravës, ku i pari shihet si malësor krenar, i egër dhe luftënxitës për një fjalë goje, ndërsa i dyti si i qetë, pragmatik, dhe i urtë. Pa dyshim se këtu Zhivkoviq, sjell në diskutim një mori studimesh që nga ato të autorëve të huaj në shekullin 18 deri te Cvijiqi, Tomasiqi, Popoviqi, etj., dhe mënyrën se si këtu studime kanë informuar studimet dhe opinionin politik, mediatik e kulturor të viteve 90. Zhivkoviq diskuton debatin në kontekst të luftës në Bosnjë, por edhe në frymën e opinionit publik në Beograd për karakteret që mund ta udhëheqin shtetin, opinion ky i rrënjosur në mendimin dikotomik për karakterin serb, dinarik dhe moravian. Sipas tij, këto dy tipe nuk shihen si të ndara por si dy faqe të së njëjtës pare.

Në kapitullin tjetër të titulluar “tepër karakter e krejt pak kulturë”, Zhivkoviq nis me citatin e një këngëtari serb (deputet në vitin 1994) që vendos një këngë iraniane në parlament e cila është identike me një këngë serbe dhe thotë vetëm një thënie të mëhershme se “serbi sillet si me pa maru turku pijanec” dhe del nga parlamenti. Ai vazhdon me diskutimet mes mentalitetit të “hajdukut” dhe “rajës”, të diskutuara shumë gjatë viteve 90, varësisht prej ndryshimit të politikave brenda sistemit millosheviqian. Ai shqyrton opinion publik duke cituar nga ligjërimi i profesorëve, komentuesve, artistëve e politikanëve, ku zakonisht sillet në pah fakti i “njollës turke”, apo hipnotizimit të masave nga muzika e popkultura e njollosur me elemente orientale. Fjalët “dai”, “jeniçer” dhe “Sulltan” dalin si fjalë kyçe në ligjërimin publik të kohës, si fjalë streotipe serbe për të njollosurin.

Përshkrimi, citatet, diskutimi dhe analiza e opinionit publik në Serbi gjatë kohës së Millosheviqit bëhet mjaft interesante, sidomos për lexuesin e ri që nuk ka pasur mundësi ta njoh efektin e kësaj kulture. Në opinion publik të Kosovës, por edhe në Shqipëri, ekziston një dozë inferioriteti ndaj kulturës serbe, për arsye të ndryshme por edhe për arsyen e mosnjohjes. Secili që lexon këtë libër të antropologut serb që ka vrojtuar me intencë mënyrën se si serbët u tregojnë përralla vetes dhe tjerëve për veten, duke u zhytur në një fantazi fantazmagorike mitologjike do të kuptonte diçka të re që nuk ka ditur për serbët dhe Serbinë. Dhe, jo vetëm për kohën e Millosheviqit, por fatkeqësisht edhe për kohën e sotme.

Image

Zhivkoviq vazhdon edhe në kapitujt tjerë duke theksuar ideologjinë historike serbe, sidomos mitet për origjinën e tyre parahistorike, për lavdinë historike dhe shenjtërinë e gjuhës serbe që derivon nga sanskritishtja. Zhivkoviq habitet edhe vetë duke hulumtuar narracionin kulturor serb për vetën, një megalomani kulturore që kishte përthithur gjithë Serbinë e kohës së Milloshqviqit. Ai vëren se në vitet 90 qe ribotuar disa herë vepra “Serbët… populli më i lashtë” nga Olga Lukoviq-Pjanoviq, e botuar për herë të parë më 1988, ku thuhej se serbët vinin nga India prej së cilës kishin migruar 4500 vite para Krishtit. Ata kishin marrë pjesë në Kullën e Babelit, kishin sunduar Egjiptin për një kohë e shumë marrëzira tjera. Megjithatë, ai identifikon edhe reflektimin apo reagimin e arkeologëve kryeftohtë serbë që hedhin poshtë teza të tilla parahistorike për origjinën e serbëve dhe thekson se arkeologjia serbe, sipas arkeologut serb Gjorgje Jankoviq, është marrë kryesisht me kulturën parahistorike dhe nuk iu është dashur të bie pre e nacionalizmit. Krejt kjo shkaku se manastiret e dinastisë mesjetare serbe ruajnë freska dhe paraqesin pamje të mbretërve serbë, dhe nacionalistët s’kanë shtyer arkeologët të jenë rrëmihës të së kaluarës për të gjetur artefaketet e mbretit sikurse në Kroaci, Greqi, Rumani, etj.

Zhivkoviq rrëfen edhe për idenë e viktimës, sakrificës, ringjalljes, krenarisë dhe lavdit në kontekst të pushtimit të Kosovës nga Millosheviqi. Në kapitullin “Prej Kosovës në Jadovne” jepet një pamje e gjerë e makthit serb mbi Kosovën, si nga intelektualët serb ashtu edhe nga Kisha Ortodokse Serbe dhe politikanët e kohës. Kapitulli sjell në diskutim gjithë idetë e “Kosovës si djep i Serbisë”, “golgotës serbe”, “ringjalljes serbe”, “varret e paraardhësve” e me radhë, si ide që qarkullojnë dhe riprodhohen në mendimin publik serbe të kohës me një vrull e dinamikë të re. Ai posaçërisht thekson retorikën serbe të varreve, si dhe retorikën e vuajtjes serbe si analogjike me Holokaustin. Por, thekson se nuk ka pasur antisemitizëm në Serbi, për faktin se serbët kanë pasur mjaft fqinj të tjerë për t’i urryer, jo se ka diçka speciale në sensin e tolerancës fetare apo etnike në kulturën serbe.

Nga proza e tij lexuesi nuk mund të mos hetojë vrullin e opinionit serb të kohës: të kemi model kulturor, të mos mbetemi me mentalitet raja, të identifikojmë njollë turke dhe ta shkulim atë, ta rikthejmë Kosovë, et shumë vizione tjera, sa të diskutuara fort në opinion publik aq të synuara në realitetit politik.

Se deri kur elitat kulturore e politike serbe do të sillen si “popull ëndrrës së Kosovës”, mbetet të shihet, por pak duket se ka ndryshuar në Serbi, sa i përket kësaj ëndrre që është shndërruar në makth për Serbinë, e cila ka ndezur luftëra dhe ka bërë masakra e gjenocid te popullata e pafajshme e popujve fqinj. Një antropologji e mendimit elitar serb, të bazuar në tipologji të tillë kulturore, por edhe në inxhiniering ideologjik e dogmatizëm fetar, është më së e nevojshme për njohjen e potencialit të imagjinariumit ose fantazisë ultranacionaliste në Evropë. Në fakt, një antropologji e tillë tregon se ku realisht ka ndodhur, po ndodh dhe mund të ndodh krimi kundër njerëzimit. Luftërat në Ballkan nuk kanë ndodhur për shkak të urrejtjes së lashtë etnike, por për shkak të “lashtëzimit të origjinës”, “hyjnizimit të etnisë”, “specialitetit të fesë”, etj. Këto piktura janë fantazuar, imagjinuar e shndërruar në libër të shenjtë të ëndrrave popullore, të treguara nga elitat populliste në kohën moderne, dhe kanë krijuar edhe arsyen për politikë ultranacionaliste vrastare.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme