Limaj: Procesi i ndërtimit të shtetit nuk përfundon me një dekadë

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka thënë se në këto 10 vjet shtet Kosova ka arritur suksese të mëdha.

E ai ka thënë se procesi i ndërtimit të shtetit nuk përfundon me një dekadë.

Megjithatë ai ka thënë se të gjithë duhet punuar fort që të forcohet vendi. “Kosova është e shenjtë”, ka thënë ai.

Ky është mesazhi i Limajt për 10 vjetorin e Pavarësisë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, sot, bëhen 10 vjet nga shpallja e Pavarësie së Kosovës. Pavarësia e vendit është arritur më shumë mund e sakrifica.

Ne, sot kujtojmë mundin e sakrificën e njerëzve të këtij vendi, të cilët me dekada e shekuj janë përpjekur për të realizuar këtë ëndërr, e cila vjen si rezultat i kontributit shekullor të shumë gjeneratave.

Gjenerata jonë jemi me fat që jemi dëshmitarë të një akti të madh siç është shpallja e pavarësisë. Pjesë e shënimit të atij momenti historik ka qenë secili qytetar i vendit.

Me shekuj është punuar për të ardhur deri te çlirimi dhe se procesi i ndërtimit të shtetit nuk përfundon me një dekadë. Në këto 10 vjet shtet kemi arritur suksese të mëdha, por kjo nuk është e mjaftueshme.

Ne të gjithë bashkë duhet të punojmë fort që ta forcojmë vendin tonë, ta zhvillojmë ekonominë e vendit dhe ta rrisim mirëqenien e qytetarëve tanë. Kosova është e shenjtë.

Lavdi dëshmorëve të Kombit! Urime viti jubilar i Pavarësisë së Kosovës!