Lindja dhe Perëndimi i burrështetasve “hajdutokrat” të Kosovës

Shkruan: Xhevdet POZHARI

Njohja e shtetësisë së Kosovës vazhdon të luhatet midis interesave të Lindjes dhe Perëndimit. Kryeministri Haradinaj, njëjtë sikundërse presidenti Hashim Thaçi një vit më parë, u kthyen “bisht-ulur” nga Vatikani. Papa u raportua se tha të njëjtat fjalë, copy – paste, në të dy takimet – jeni popull tolerant, punoni në forcimin e bashkëjetesës fetare!

Njëjtë si Vatikani, mendojnë edhe shumë shtete arabe. Veçanërisht ato që janë një “mish-mash” i çuditshëm interesash. Të copëtuara dhe politikisht të çoroditura, shumica prej tyre nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit që është promotor i trinisë fetare, me dominancë myslimane.

As hebrenjtë nuk e kanë ndarë mendjen në raport me shtetin që i strehoi dhe i ndihmoi ata me aq sa patën mundësi.

Kosova bllokohet pamëshirshëm edhe nga Spanja që nuk arrin ta tejkalojë problemin me Kataloninë dhe të tregohet parimore. Bie fjala siç veproi Turqia përkundër problemit me kurdët, apo Britania e Madhe, pavarësisht kërkesës së Skocisë.

Ne evropianët e shtetit më të ri përfaqësohemi nga burrështetas “puthadorësh” të cilëve “Pro-perëndimorja” u shërben vetëm si mbulesë për diktatin, ndërsa demokracia si çarçaf për korrupsionin…

Dhe, ne banorët e këtij vendi ku pihet kafja turke, çaji i rusit, ku ndiqet me entuiziazëm veçanërisht liga spanjolle e futbollit, ne konsumuesit më të mëdhenj të tregut serb dhe njëkohësisht banorët e shtetit më të izoluar në Evropë, vazhdojmë të presim se një ditë do të vijë dita kur “të mëdhenjtë” do të kenë mëshirë me fatin e një populli të vogël e të shpërndarë në të katër anët e botës.

E, ajo ditë edhe mund të vijë nëse do të arrijmë ta kuptojmë se me këta burrështetas as në ferr nuk na pranojnë!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme