Liria dhe siguria në Maqedoni

 

OPINION nga Selim ILJAZI

Liria është një koncept që përfshin dimensionet kulturore, psikologjike, sociale dhe politike dhe është një nga konceptet qendrore të historisë intelektuale njerëzore. Ky koncept, sot është në diskutim të vazhdueshëm dhe në këtë mënyrë në një ndryshim të përhershëm për të krijuar liri akoma edhe më të mëdha. Në këtë këndvështrim, politologët perëndimorë mbrojnë pikëpamjen se “shteti” nuk është një qëllim në vetvete, por ai ka funksione shërbimi, ai ju shërben në mundësitë e fundit lirive njerëzore, me të cilat ai ndërton paqen dhe sigurinë, duke i çliruar njerëzit nga frika e tyre. Siguria është një koncept qendror për vlerat e demokracisë. Si pjesë konstituive e rendit politik demokratik, siguria është baza për planifikimin dhe veprimin njerëzor”.

Siguria është një madhësi inferiore ndaj ndryshimeve të vazhdueshme dhe për këtë arsye ajo është pjesë e diskutimeve të pandërprera të ekspertëve dhe të politikës. Në botën e sotme moderne urbane, asnjë individ nuk preferon të lëvizë, të punojë apo të jetojë në një vend të pasigurtë. Ambienti i pasigurtë ngjall gjithnjë ndjenjën e frikës dhe kufizon liritë individuale. Pasiguria mbretëron edhe në Maqedoni, nga zhvillimet politike është krijua një produkt i pakontestueshm i politikës konfliktuale, e cila në momente ekstreme rrezikon shuarjen e funksioneve të shtetit. Ky stil i gjatë komunikimi pozitë-opozitë dhe anasjelltas, krijon një trysni të rrezikshme mbi vlerat e demokracisë dhe jep efekte negative në dimensionin e sigurisë publike.

Nuk ka asnjë formacion politik, shoqëror, ekonomik apo social ne Maqedoni që të mos këtë provuar pasojat rrënimtare të sigurisë në krizat ekstreme politike gjatë këtyre viteve. Si çdo marrëdhënie, edhe marrëdhëniet midis lirisë dhe sigurisë, janë çështje besimi në kontratën sociale me shtetin e së drejtës. Kjo do të thotë se nga njëra anë, vetë njerëzit duhet të kuptojnë kufirin e lirive, “liria jote mbaron, aty ku fillon e drejta ime”, dhe nga ana tjetër, shteti të marrë përsipër përgjegjësitë e sigurisë.

Kërkesat që ka komuniteti ndërkombëtar dhe pretendimet e Maqedonis për integrimin në Bashkimin Europjan dhe NATO, shtrojnë në plan të parë nevojën e diskutimit te formatit Liri-Siguri, duke startuar nga vlerat themelore të lirisë. Ndonëse këto vlera janë të përcaktuara në aktin themelor të shtetit, historia e hidhur e vetëgjyqësisë ka hapur edhe ajo faqen e saj.

Një numër jo i vogël njerëzish, në Maqedoni e kanë më të lehtë të vendosin vetë fatin e të drejtave dhe lirive të tyre, se sa të trokasin në dyert e drejtësisë, aty ku duhet të vuloset formati i të drejtave. Nëse sistemi ynë i drejtësisë në Maqedoni është përfolur, nga mjediset më të thjeshta deri në nivelet më të larta të Parlamentit Europian, ky besim është akoma i zbehtë. Siguria nuk është një çështje me të cilën duhet të merren vetëm forcat e sigurisë, apo vetëm njerëzit e drejtësisë.

Ajo është shumë më tepër se kaq dhe përfshin të gjithë aktorët e jetës politike, shoqërore, ekonomike dhe sociale të Maqedonis si shtet. E drejta natyrore për jetën, e drejta për punë, e drejta për shërbim shëndetësor, e drejta për arsim, e drejta për mjedis të pastër, e drejta për t’u mbrojtur etj, janë vetëm disa të tilla, me të cilat shteti i Maqedonis duhet të ndërton paqen dhe harmoninë sociale, për t’i mbrojtur njerëzit nga frika, në mënyrë të veçantë nga frika e dhunës, krimit dhe vrasjes. Ata të cilët do të heqin dorë nga liritë thelbësore, në mënyrë që të fitojnë një siguri të përkohshme, nuk meritojnë as lirinë dhe as sigurinë dhe do t’i humbasin të dyja.