Lista Srpska nuk do ta votojë demarkacionin

Kuvendi i Kosovës sot ka planifikuar që të mbajë seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite është votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Por Lista Serbe nuk do ta votojë marrëveshjen e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, raporton Gazeta Express.

Kjo gjë është bërë e ditur nga një komunikatë e dërguar nga vet zyrtarë të Listës Serbe.

“Lista Srpska nuk do ta votojë marrëveshjen për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi”, thotë Lista Srpska përmes një komunikate për media, shkruan Express.

Tutje, ky subjekt politik në komunikatë deklaron se do ta vazhdojë luftën për popullin serb në Kosovë.

“Shkrimet ne mediat shqipe se Lista do ta votoje demarkacionin, janë thjesht tendencioze”

Përveç Listës Sprska, aktualisht, votën kundër e ka paralajmëruar edhe Lëvizja Vetëvendosje, përderisa subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, pritet që të kërkojë shmangien e votimit për raportin e Komisionit shtetëror, të cilin e konsideron vetëm si një draft të papërfunduar.

Për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, nevojiten dy të tretat e votave të tërësishme të deputetëve të Kuvendit, pra, 80 nga 120 sosh. Në rast se plotësimi i kushteve nga Kosova vlerësohet pozitivisht, atëherë qytetarët e Kosovës, pritet që në qershor ose në shtator të këtij viti, ta marrin dritën e gjelbër për liberalizim vizash ./GazetaExpress/