Lladrovci mbyll disa shkolla, 150 nxënës mbesin pa mësim

Edhe pas gati dy javësh nga fillimi i vitit shkollor rreth 150 nxënës të Abrisë së Epërme, të Godancit dhe të Gjergjicës së komunës së Drenasit akoma nuk e kanë filluar mësimin për shkak se shkollat në këto fshatra janë mbyllur.

Komuna e Drenasit ka vendosur që të mbyllë paralelet e ndara në Abri të Epërme (Lagjja “Muliqi”) në Godanc dhe në Gjergjicë, duke u arsyetuar me mungesë të buxhetit, por edhe për numër të vogël të nxënësve. Kuvendi i Drenasit ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, të enjten pasdite, me kërkesën e opozitës në Drenas, në të cilën është diskutuar edhe për kërkesën e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Shyqiri Bytyqi, për rihapjen e shkollave. Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci është shprehur kategorik se shkollat tashmë janë mbyllur dhe se ato nuk do të rihapen pas një vendimi për fuzionimin e shkollave, duke u bazuar, siç ka thënë Lladrovci, në ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Në anën tjetër, këshilltarët opozitarë kanë kundërshtuar veprimin e ekzekutivit të Drenasit dhe kanë kërkuar rihapjen e paraleleve të ndara në këto tri fshatra.  “Kërkoj nga prindërit që të mos e pengojnë procesin mësimor, por t’i lejojnë fëmijët e tyre të vijojnë mësimet në shkollat amë, pasi që Komuna ka siguruar edhe transportin edhe vijueshmërinë e nxënësve”, ka thënë Lladrovci, i cili pas takimit ka takuar edhe disa nga prindërit e nxënësve të shkollës së Abrisë. Ai është përpjekur t’u sqarojë atyre për vendimin për fuzionimin e paraleleve nga shkolla amë dhe ka kërkuar nga ata që t’i lejojnë fëmijët të shkojnë në shkollë. Prindërit nga ana tjetër kanë siguruar Lladrovcin se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollën amë, që është rreth 4 kilometra larg shtëpive të tyre, pavarësisht nëse ka siguruar transportin për ta nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas.

Vehbi Berisha, asamblist i Nismës në Kuvendin e Drenasit, tha se vendimi për mbylljen e tri shkollave është vendim skandaloz i DKA-së së Drenasit. “Vendimi skandaloz i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas është kryekëput i pabazë dhe i ngutshëm, pastaj është cilësuar si vendim i gabuar edhe nga vetë ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi në adresimin e tij publik më datën 10.09.2018. Vendimi i DKA-së është skandaloz për faktin se thirret në planifikime që gjoja se janë bërë më herët, ndërsa si i tillë vendimi është marrë vetëm një ditë para se të fillojë procesi mësimor. Në atë vendim thuhet se shkollat po mbyllen në mungesë buxheti, ndërsa MASHT-i e dëshmon të kundërtën, aq më keq se tërë kohen gjatë seancës kryetari i Komunës thirrej në udhëzime dhe në ligje, ndërsa në anën tjetër thoshte se nëse MASHT-i i siguron mjetet ne i hapim shkollat kundërligjshëm.

Lladrovci thirrej në udhëzimet administrative përderisa kemi shkolla ku ka mbi 40 nxënës në një klasë, ndonëse udhëzimi administrativ lejon që në një klasë të ketë maksimumi 35 nxënës. Komuna e Drenasit sot (e enjte) pati rastin dhe mundësinë të reflektojë, por këtë nuk e bëri dhe me ketë veprim po i shtyn banorët e fshatrave të sipërpërmendura të shpërngulen nga fshatrat e tyre, ndoshta edhe jashtë Drenasit. Është java e dytë që këta fëmijë, nxënës të shkollave të Abrisë, të Godancit e të Gjergjicës, nuk kanë filluar mësimin dhe përgjegjësia bie kryekëput mbi Komunën e Drenasit, përkatësisht mbi kryetarin e saj dhe DKA-në”, thotë Berisha.

Ndërkaq Petrit Gashi, nga Iniciativa Qytetare për Drenasin, siguron se Lladrovci ka mbyllur shkollat me kamuflazhe. “Paramendojeni se si mundohet ta kamuflojë kryetari Lladrovci mbylljen e shkollave. Në vendimin për mbylljen e shkollave në njërën anë thirret në ligje (udhëzim administrative) dhe në tjetrën anë i kërkon MASHT-it 146 mijë euro për hapjen e shkollave.

Pra, kur janë në pyetje paratë ai e shkel ligjin, hiç problem s’e ka. Edhe në mbledhjen e sotme të Kuvendit Lladrovci dëshmoi se ai ka shkelur me të dyja këmbët ligjin dhe ka shantazhuar MASHT-in duke kërkuar diçka që tanimë e ka. Mbyllja e shkollave është bërë për teke të tija personale dhe në asnjë mënyrë për mungesë të buxhetit. Paradoksalisht Lladrovci organizon një takim të sponsorizuar nga familjari i tij gjoja për rritjen e cilësisë në arsim e si mund të rritet cilësia në arsim kur shkollat mbyllen, kur mësimdhënësit pranohen vetëm nëse janë të PDK-së dhe nuk ka lidhje fare se a i plotësojnë kushtet dhe kriteret?

Realisht kamuflazhet e tilla nuk po i pranon më populli”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, DKA-ja në Drenas ka vendosur t’i mbyllë tri shkolla, paralele të ndara, një në Abri të Poshtme në lagjen “Muliqi” dhe ka udhëzuar nxënësit që t’i vijojnë mësimet në shkollën amë “Shotë Galica”, një në Godanc, duke udhëzuar nxënësit t’i vijojnë mësimet në shkollën “Rilindja” në Dobroshefc dhe paralelen e ndarë në Gjergjicë, duke udhëzuar nxënësit t’i vijojnë mësimet në shkollën “Abedin Bujupi” në Arllat. Komuna ka siguruar transportin për nxënësit e këtyre shkollave. Por, prindërit e nxënësve kanë kundërshtuar, duke mos lejuar fëmijët e tyre të fillojnë mësimin, ndërsa janë ankuar edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës. Ministri Shyqiri Bytyqi ka pritur prindërit e nxënësve, ka dëgjuar hallet e tyre dhe në fund i ka kërkuar Komunës së Drenasit që t’i rihapë shkollat për nxënësit. Ministri Bytyqi ka sqaruar se nuk bëhet fjalë as për mungesë buxheti e as për numër të vogël të nxënësve, por kërkesa e tij që të rihapen shkollat ka hasur në kundërshtim të Komunës së Drenasit. Madje drejtori i DKA-së në Drenas, Tafil Halilaj, ka thënë se nëse prindërit nuk i lënë fëmijët të shkojnë në shkollë ata bëjnë shkelje ligjore. E sipas autoriteteve të arsimit në Drenas, janë rreth 80 nxënës të Abrisë së Epërme që nuk i vijojnë mësimet (prindërit thonë se janë 116), 36 nxënës janë të Gjergjicës dhe 33 nxënës janë të Godancit.

Duke reaguar ndaj ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Shyqiri Bytyqi, Komuna e Drenasit ka thënë se deklarata e ministrit Bytyqi është politike. “I kujtojmë ministrit Bytyqi dhe atyre që e këshillojnë për dhënien e deklaratave politike dhe jo për gjetje të zgjidhjes se buxhetin për vitin 2019-2021 nuk e ka miratuar asnjë organizatë buxhetore komunale deri më 30 shtator 2018. Drejtoria Komunale e Arsimit, Komuna e Drenasit, si dhe kryetari Lladrovci mirëpresin shkresën e proklamuar të ministrit Bytyqi për zgjidhjen e problemit në rrugë ligjore për paralelet e ndara të shkollave amë, duke mos i mirëpritur deklaratat politike që po vazhdojnë të dëmtojnë procesin mësimor për shkollimin fillor, që është i mbrojtur me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe ligjet e aplikueshme në Kosovë. Gjithsesi, ministri Bytyqi është i mirëseardhur në Komunë që t’i marrë përgjigjet nga Drejtoria, si dhe të shohë gjendjen reale në terren”, thuhet mes të tjerash në reagimin e Komunës së Drenasit.

Lini Një Koment