Lojtari që shënoi golin më të bukur në botë lë futbollin për video-lojëra

Wendell Lira dëgjon emrin e tij, dhe lotët rrjedhin menjëherë. I habitur, ai hipën në skenë teksa e shohin një plejadë lojtarësh. Në 11 janarin historik, ai u bë menjëherë një hero kombëtar duke fituar çmimin “Puskas Aëard 2015”, një çmim që i jepet golit më të bukur të vitit.

Nderi i madh e ndihmoi të ndryshonte jetën e tij, por jo aq shumë sa t’i fshijë zhgënjimet në futboll. Gati 200 ditë pasi ishte në një sallë me Lionel Messi-n në Zyrih të Zvicrës, 27 vjeçari var këpucët në gozhdë, gati për të filluar një ëndërr të re, tani në botën e lojërave elektronike.

Wendell Lira do të shpallë fundin e karrierës së tij. Ai do të migrojë nga njëra ëndërr në tjetrën, ajo e botës virtuale. Tashmë ish-sulmuesi do të publikojë ndeshjet e tija në një kanal Youtube.

Dhe do të jetë një lojtar elektronik profesional. Ky ndryshim i papritur nuk është një vendim spontan, por një dëshirë intime, e shfaqur pas dështimeve të mëdha në futbollin e luajtur.

Por edhe nga pasioni për lojërat. Leva dhe televizori kanë qenë gjithmonë një pasion i tiji – paralelisht me driblimet, golat dhe festimet në fushën reale.

Ky ndryshim karriere ka shumë faktorë. Një prej faktorëve kryesorë ishte zhgënjimi në futboll.

“Kam pasur probleme serioze, operacione. Mu shpif futbolli, gënjeshtrat, pisllëku. Dhe papritur, Zoti më dha një çmim të mrekullueshëm, i cili do të mbetet përjetësisht me mua. Dola në majë. Ndodhi diçka që nuk e kisha imagjinuar,” shprehet fituesi i çmimit Puskas.

Rruga e re që ka ndërmarrë, nuk është shumë larg futbollit. Ai po i përkushtohet plotësisht profesionit të tij të ri. “Projekti është që të krijoj një kanal në Youtube”, shkruan Telesport.

“Në fakt, kjo lojë për mua gjithmonë ka qenë diçka madhore. Gjithmonë kam qenë i apasionuar pas futbollit, gjithmonë e kam dashuruar. Është pjesë e jetës sime. Drejtorë që më kërkojnë në klubet e tyre akoma i bien telefonit tim duke më bërë ftesa. Por unë e kam marrë vendimin tim. Ishte një shok i madh për ta. Dua të krijoj diçka eksituese, të vërtetë, me të cilën mund të identifikohem. T’i tregoj njerëzve gjëra që nuk i kanë imagjinuar dot.”

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë