Loriana, dëshmia që Kosova vazhdon të zhvillojë xhudistë të shkëlqyeshëm

Prej xhudistëve kosovarë pjesëmarrës në kampionatin botëror që pas pak ditësh fillon në Tokio, Loriana Kuka është më së ulëti e ranguar në kategorinë përkatëse.


Botërori i xhudos nis të dielën në kryeqendrën e Japonisë, ndërsa Loriana Kuka garon të premten tjetër në kategorinë deri 78 kilogramë. Në këtë kategori nuk është në mesin e tetë bartëseve. Në bazë të ranglistës botërore i bie të jetë vetëm bartësja e 11-të, shkruan sot ‘Koha Ditore’.

Për dallim nga Distria Krasniqi, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Akil Gjakova, Loriana nuk llogaritet në mesin e pretendenteve të mëdha për medalje, në ngjarjen kryesore të vitit në xhudo. Por përfundimisht nuk është pa gjasa. Dhe ngritja e saj e madhe në vitet e fundit jep shpresë për sukses.

Afro tre vjet më parë Loriana ka lënë Zvicrën si xhudiste mesatare, por me potencial, dhe është vënë nën urdhrat e trajnerit Driton Kuka, që është axha i saj. Nën urdhrat e mjeshtrit kosovar, ka pasur zhvillim të hovshëm. Madje rasti i saj i ka shërbyer sajtit të Federatës Evropiane të Xhudos për të shkruar për zhvillimin e jashtëzakonshëm të xhudistëve në Kosovë.

Lini Një Koment