Lum ne që të kemi, o Hashim Thaçi!

Xhevdet Pozhari

Ka shumë pak ballkanas që kanë lindur dhe kanë vdekur në të njëjtin shtet. Edhe pse tërë jetën e kanë kaluar në të njëjtin vendbanim atyre shpesh u ka ndodhur që mos ta kenë të njëjtë shtetin e lindjes dhe atë të vdekjes.

Pastaj shumë pak shtete të këtyre hapësirave kanë pasur jetë më të gjatë se ajo e një vdektatari të rëndomtë, siç është njeriu. Madje, shumë banorë të këtyre trojeve gjatë jetës së tyre kanë jetuar në disa shtete të ndryshme edhe pse kurrë nuk kanë ndërruar vendbanim.

Andaj, në Ballkan mund të lindësh e të vdesësh në të njëjtin vendbanim, por jo edhe në të njëjtin shtet. Nësoj mund të jetosh tërë jetën në të njëjtën shtëpi, por të kesh qenë shetas i tre – katër shteteve! Dhe kjo vetëm ngaqë jetëgjatësia e shteteve të Ballkanit nuk është më e gjatë sesa tre – katër dekada dhe pse kufijtë e shteteve të këtyre hapësirave ndryshojnë sa herë që krijohen rrethanat që popujt e këtushëm të kenë nevojë për pushim, deri në konfliktin e ardhshëm…

Sa më shpesh që popujt e Ballkanit i ndryshojnë kufijtë dhe arrijnë marrëveshje për këmbim territoresh, aq më thellë ata zhyten në pakenaqesinë e rrezikshme se dikush ua ka grabitur tokën që u takon. Dhe, jo rastësisht, thuajse të gjithë popujt e Ballkanit njësoj ndjehen ngusht në tokën që e kanë dhe jetojnë me bindjen se e kaluara ka qenë e padrejtë dhe grabitëse ndaj tyre.

Edhe tani kur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi rrëfen për atë se si Serbisë do t’ia merr Luginën e Preshevës dhe do ta zgjerojë Kosovën, nuk kemi se si mos të shtrojmë pyetje se mos ndoshta ai të gjithë neve na konsideron budallenjë apo vetë është aq mendjemadh sa beson se është lojtar i përmasave globale dhe se atë që ia pjellë mendja gjatë natës, realizohet brenda ditës! Në ndërkohë të gjithë tani merremi me idetë e Thaçit që tregon se në këto hapësira më të sukseshëm janë ata që nuk turpërohen nga mendjelehtësia e vet dhe që janë të gatshëm të flijojnë popull e shtet vetëm për ta shpëtuar vetveten.

Thaçi na tregoi se Serbisë do t’ia merr Luginën e Preshevës, por nuk tha gjë për shqiptarët e Maqedonisë të cilëve qëmoti u kishte premtuar se do të jetë “gardian” i tyre. Ndoshta gjatë takimit të fundit me Ali Ahmetin edhe janë marr vesh se si pas Luginës Thaçi do ia bashkëngjisë Kosovës edhe trojet shqiptare të Maqedonisë dhe tani vetëm pret që këtë ta na e kumtojë edhe neve të tjerëve publikisht, pasi ta fiksojë kufirin me Serbinë. Sepse, me sa duket, çështjen e popullit dhe shtetit Hashim Thaçi e ka barazuar me pronën e vet të cilën mund ta këmbejë me fqnjët sa herë që t’i leverdisë!

Po siç duket Thaçi ka vendosur t’i korrigjojë kufijtë shqipatro – shqiptarë dhe tua merr fqinjëve të gjitha trojet tona. Kuptohet, pa u dhënë atyre asgjë si kundërvlerë. E, pastaj le të del ndonjë shqiptar që mund të pohojë se bëhet fjalë për një burrështetas që mund mos të dijë të drejtojë shtet, ama din aq mirë t’i ngatërrojë shtetet sa mos të dihet se kush është mendjelehtë: ai që beson se kufijtë shtetëror mund të ndryshohen më lehtë se kufijtë e një komune brenda një shteti, apo ata që thonë se kufijtë i ndryshon forca dhe ato vendosen aty ku ngrihen muret prej gjaku.

Hashim Thaçi do t’ia merr Serbisë Luginën e Preshevës, por ende nuk doli dikuh t’i thotë se me këtë veprim “heroik” do t’ia prishë referendumin Maqedonisë e do t’i hutojë shqiptarët e atjeshëm sa mos të dinë si të vendosin: t’i bashkëngjiten agjendës së këtij shteti për integrim në NATO dhe BE, apo të integrohen me Kosovën të cilës do t’i bashkohen të gjitha trojet shqiptare.

Hashim Thaçi e bëri të ditur se ai do jetë bashkuesi i trojeve shqiptare. Dhe se këtë do ta arrijë pa luftë e pa dhënë asgjë. Për çudi askush nuk u trondit nga ky kumt i tij. Aq më shumë ke përshtypjen se Sebia ndjehet e privilegjuar si e zgjedhura e parë e Thaçit që duhet t’ia kthej Kosovës, Luginën e Preshevës. Dhe, mbase, menjëherë pas saj edhe Maqedonia vullnetarisht do t’ia dhurojë Kosovës trojet shqiptare. Në këto rrethana s’ke si mos të thuash: lum ne shqiptarët që e kemi Hashim Thaçin. Njësoj siç duhet thënë se nuk duhet të nguten ata që e bëjnë listën te heronjve tanë kombëtarë, se kështu siç janë katandisur punët tona, mund të del që Thaçi ta zgjerojë shqiptarinë deri te Molla e Kuqe. Edhe atë pa shkrepur asnjë plumb.

  1. Fundi i fundit këta burrështetas si Hashim Thaçi neve edhe na bënë popull që e kemi pushtuar Evropën, e lëre më Ballkanin. Na bënë popull që edhe mos ta dijmë më se cili është kufiri që na ndan, e cili është ai kufi që na bashkon, ngaqë thujase çdokund të duket se për fatin e shqiptarisë vendos mafia politike.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme