Lutfi Haziri rrezikon 5 vjet burg, dyshohet për miliona euro dëme në komunë (Dokument)

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri mund të dënohet deri në pesë vite burg nëse vërtetohet dyshimi se ai i ka shkaktuar miliona euro dëme Komunës së Gjlanit, të cilën e udhëheqë aktualisht.

Bazuar në dokumentin që ka siguruar Gazeta inFokus ky rast Hazirit i është ngritur vetëm pak kohë para zgjedhjeve të brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kreun e së cilës ka shfaqur ambicje të jetë edhe Haziri.

Pavarësisht se çfarë do të ndodhë të shtunën në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie, Hazirin e pret një përballje me drejtësinë.

Mollë sherri për këtë është bërë ndërmarrja aksionare “Eco-Higjiena” në Gjilan.

Ndërmarrja që është partneritet publiko-privat u themelua më 23.05.2012, ku që nga ajo kohë “Ecovision” me partner austriak dhe “Komuna e Gjilanit” kanë qenë në raport kontraktues, ku austriakët kanë 51 për qind të aksioneve në “Eco-Higjienë” e 49 të tjerat i kanë Komunat e Gjilanit, Vitisë e Kamenicës, shkruan gazeta inFokus.

Por, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, më 27.05.2019 vendosi që të ndërprejë marrëveshjen me shoqërinë tregtare “Ecovision”, pasi thuhet që nuk u respektua marrëveshja dhe se nuk janë bërë investimet e mjetet e zotuara me marrëveshje.

Kjo, ka shtyrë “Ecovision” që ta padis komunën e Gjilanit, me arsyetimin se nuk ka të drejtë të ndërpresë marrëveshjen në mënyrë të njëanshme.

E këtë padi e ka aprovuar Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila ka marrë edhe një vendim, shkruan gazeta inFokus.

“Miratohet si i bazuar propozimi i propozuesit të sigurimit “Shoqëria Tregtare “Ecovision” sh.p.k me seli në Prishtinë, ashtu që, i ndalohet kundërshtarit të sigurimit Komuna e Gjilanit që të ndërmarrë veprime në menaxhimin e Shoqërisë Tregtare “Eco-Higjiena” sh.p.k, apo në tjetërsimin dhe ngarkimin e aseteve të sajë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore.

Kjo masë ia pamundëson Komunës së Gjilanit që të ndërmarr cfarëdo veprimi në ndërmarrje, deri në vendimin e ardhshëm gjyqësor.

Por, në këtë rast ka dalë edhe një tealshe për komunën e Gjilanit dhe kryetarin e saj, Lutfi Hazirin.

Kjo, pasi ky i fundit, veçse ka ndërprerë marrëveshjen ka caktuar edhe një drejtor menaxhues, si dhe në një konferencë për media të mbajtur më 26.06.2019 ka deklaruar se Komuna e Gjilanit do të marrë në posedim dhe në shfrytëzimë kompaninë “Eco-Higjiena” dhe asetet e saj do t’i tjetërsoj pa pëlqimin e propozuesit të sigurimit, gjë që nga “Ecovision” po konsiderohet e paligjshme.

Andaj edhe bën kallëzim penal në prokurorinë speciale, e të cilin e ka siguruar gazeta inFokus.

“Lutfi Haziri në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, e ka nxjerrë njoftimin e datës 12.06.2019, me të cilin e ka caktuar zt. Xhelal jetishi, për menaxhimin e kompanisë Eco-Higjiena, me seli në Gjilan, rruga Fehmi Agani, nr.17. Me këtë ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës 06/L-074”, thuhet në kallëzimin penal, shkruan gazeta inFokus.

Kështu, në rast se shpallet fajtor, Haziri, rrezikon dënim me burg deri në pesë vite.

Kallëzim penal është bërë edhe ndaj Xhelal Jetishit, ku thuhet se është paraqit si drejtor në ndërtesën e kompanisë Eco-Higjiena dhe thuhet se ka kryer veprat penale të mashtrimit dhe detyrimit.

Ndërsa, kallëzim penal është edhe ndaj Xhelal Shabanit, ku thuhet se bashkë me Xhelal Jetishin kur janë prezantuar si drejtor të kompanisë, Jetishi përmjet presionit dhe kanosjes ka bërë përpjekje ta largoj nga vendi i punës Saranda Jusufin, pasi kjo ka refuzuar të zbatoj urdhërat e Jetishit, shkruan gazeta inFokus.

Ndërsa, Kompania Eco-Higjiena e cila ka të punësuar mbi 150 punëtorë, si rrjedhojë e veprimeve të të dyshuarëve, kompanisë mund t’i shkaktohet dëm më shumë se 1 milionësh, i cili është i parikuperueshëm thuhet në kallëzim penal.

Image

Lini Një Koment