Lutfi Haziri – Shpend Ahmetit: Nuk eliminohen kundërshtarët politik me dosje (Video)

“Vetëvendosja ka bërë denoncime ndaj ish kryetarit të Prishtinës, tash kryeministër, sepse çdo kryetar i Komunës ka mundësi me mbledh materiale e me hulumtu, me grumbullu dosje e me paraqit në prokurori. Por, kjo nuk është detyra e kryetarit. Detyrë e kryetarit është me i kry punët sipas ligjit për çfarë është shkuar aty si përfaqësues më i lartë qytetar, por për çdo shkelje ligjore ne jemi të thirrur me detyrë që t’i njoftojmë organet e shtetit”, ka deklaruar nënkryetari i LDK – së, njëherit edhe kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, raporton portali Sakte.net

I pyetur se si është e mundur atëherë se ish ambasadorja amerikane, znj. Tracey Ann Jacobson t’i përmendte pikërisht “dosjet e Isa Mustafës” para se të shpërndahej blloku opozitar VLAN dhe të hapej rruga për koalicionin LDK – PDK, Haziri ka thënë politika nuk bëhet me ndërtimin e skenareve dhe dosjeve me qëllim të eleminimit të rivalit politik.

“Dosjet politike, ka me ardh koha që njerëz që janë duke bë veprime të tilla kanë me u turpëru prej punëve të veta. Sepse ne kemi vuajt prej dosjeve politike. Ne kemi vuajtur prej ndërtimit të skenareve, inskenimit të dosjeve dhe të gjetjeve edhe më herët. Nuk mund të quhet patriotizëm sot me bë gropa edhe me inskenu, me bë dosje kundër rivalit politik. Konkurenti politik duhet të fitohet me program”, ka thënë në intervisten “Saktë”, Lutfi Haziri. Sipas tij, aktualisht në Kosovë secili grup politik i bën dosje tjetrit.

“Secili grup opozitar po mendon se ndërtimi i dosjes është mënyra më e mirë me e deskreditu dhe me fitu ndaj rivalit politik. Nuk fitohen zgjedhjet ashtu. Në këtë mënyrë askush ska mund t’i fitojë zgjedhjet”, është shprehur Haziri./Sakte.net