Maqedonasit vërsulen ta shkatërrojnë shtëpinë botuese shqiptare që dhuroi 100 mijë libra falas për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Pas informatave se inspektorë të DAP-it janë duke bërë kontrolle financiare në SHB “Logos – A” dhe në disa organizata tjera bamirëse e humanitare – e të cilat i ndërlidh grupi i njerëzve që i drejtonë ato e të cilët hapur kanë përkrahur Lëvizjen BESA – ka reaguar shkrimtari Kim Mehmeti. Sipas tij, në këtë vend ku  burrështetas e politikanë akuzohen për krime të rënda dhe ku janë ndërtuar seli luksoze partiake si ajo e VMRO-DPMNE-së, e që kushton disa milion euro, inspektorët financiar u janë vërsulur institucioneve të pakta kulturore e bamirëse që kanë shqiptarët e Maqedonisë.  Kim Mehmeti shprehë  dyshimet se mbase i gjithë ky aksion është i iniciuar nga drejtuesit e BDI’së, të cilët kështu duan t’i trembin e t’u hakmerren të gjithë atyre që nuk u nënshtrohen banditëve partiak të kësaj partie. Mëp poshtë mund ta lexoni reagimin plotë të shkrimtarit tonë të njohur, Kim Mehmetit.
“Inspektorët e DAP-it i janë vërsulur Shtëpisë Botuese ‘LOGOS-A si’ dhe disa shoqatave humanitare e kulturore që i drejtojnë disa miq të mi, si të ishin ato çerdhe hajdutësh, e jo institucione kulturore e bamirëse! Ja pra, në këtë Maqedoni, e cila shenjë njohëse ka korrupsionin e krimin dhe ku politikanë e burrështetas, akuzohen për hajdutëri dhe plaçkitje të popullit, shteti mbrohet nga  Shtëpia Botuese ‘Logos –A’!? Pra në këtë shtet ku inspektorët e policia nuk do duhej të dilnin nga selia disa milionëshe e VMRO-DPMNE’së dhe nga ajo e BDI’së, inspektorët financiar kontrollojnë ato pakë institucione kulturore e bamirëse që kanë shqiptarët e Maqedonisë?! Ku ta dish, ndoshta i tërë ky ‘kontroll financiare’ është veprimtaria e fundit ‘atdhetare e kombëtare’ e drejtuesve të BDI-së, të cilët në këtë mënyrë duan t’u hakmerren të gjithë atyre që e përkrahën dhe që e përkrahin Lëvizjen BESA! Pra, kjo mund të jetë hakmarrja e fundit ndaj neve që themi: e keqja e shqiptarëve të Maqedonisë janë banditët dhe hajdutët partiak të BDI’së, ata që shkatërruan thuajse çdo gjë të vlefshme që kishim ne si popull dhe të cilët, tani para ‘vdekjes’ së tyre politike, duan të shkatërrojnë edhe ato pakë institucion kulturore e bamirëse që na kanë mbetur!”