Maqedoni, as diploma e Harvardit s’bën punë

“Shkollohu”, “Dituria është fuqi”, janë disa nga sloganet e fushatës së Qeverisë së Maqedonisë për t’i stimuluar të rinjtë që të regjistrohen në studime, për të siguruar të ardhmen e tyre.

Dhe një numër i madh i të rinjve, regjistrohen në fakultete, mbarojnë studimet, bëjnë master, doktoraturë, por sërish mbeten nën mëshirën e partive politike, varësisht cila prej tyre është në pushtet. Por, ata sërish mbeten të mashtruar në rrugë dhe pa fatin e përcaktuar në planin profesional. Ka të rinj të diplomuar edhe në shkolla elitare perëndimore, por që nuk kanë askund vend nga partizanët dhe militantët e partive politike.

Faktori kryesor për të gjetur një punë është libreza partiake, e jo diploma e universitetit apo titujt e arritur shkencor. Shumica e të rinjve theksojnë se janë pengje dhe viktima të kësaj sindrome, për pamundësinë e tyre për punësim në profesion, raporton agjencia e lajmeve INA.

Në Maqedoni ka numër rekord të doktor shkencash që janë pa punë, madje 31, thonë të dhënat e Agjencisë për punësim.

Për  një vend pune presin edhe 927 magjistra, ndërsa gjithsej 14.135 është numri i personave të pa punë që kanë kryer studime deri diplomike.

Numri i përgjithshëm i personave të papunë në Republikën e Maqedonisë është 114,252 persona.

Krahasuar me vitin 2013, numri i magjistrave të papunë është rritur për 176, ndërsa i doktor shkencave për 18.

Punësimi nëpërmjet lidhjeve partiake, miqësore dhe lidhjeve të vjetra të periudhës së kaluar, por edhe nëpërmjet dhënies së ryshfetit, është një realitet që vazhdon të jetë i pranishëm në Maqedoni. Administrata shtetërore dhe institucionet e ndryshme janë të stërmbushura nga individë të tillë, shumica të papërgatitur dhe tejet inferior për të kryer detyrën që e obligon vendi i punës. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore dhe hulumtimet e organizatave joqeveritare brenda dhe jashtë vendit.

Bashkimi Evropian së fundi ka tërhequr vërejtjen për administratën e stërngarkuar me aktivistë partiak dhe për nevojën urgjente të profesionalizimit të saj, sidomos në sektorët më të ndjeshëm, njofton agjencia e lajmeve INA.

Qendra për të Drejtat e Njeriut dhe Zgjidhjen e Konflikteve në Shkup, në një studim ka theksuar për praninë e diskriminimit politik.

Mbi 80 për qind e qytetarëve vlerësojnë se në politikën e punësimeve vazhdon të ketë diskriminim politik.

Në Maqedoni, u bë pothuajse e pamundur të gjendet një punë pa librezë partiake. Partitë politike punësojnë familjarët dhe bashkë partiakët e tyre, të cilët ju duhen për zgjedhjet e ardhshme për të mbajtur sërish në pushtet.