Maqedonia i bindet Erdoganit, pritet të mbyllë shkollat e Gulenit

Qeveria e Shkupit, sipas njoftimeve jozyrtare në mediat maqedonase, në mbledhjen e vet të fundit ka miratuar masa për kufizimin e aktiviteteve të prijësit mysliman turk Fetthullah Gulen dhe ithtarëve të tij në Maqedoni, si dhe për mbylljen e institucioneve arsimore që kanë ndonjë lidhje me të. Zyrtarisht, këtë nuk e konfirmon Qeveria.

Qeveria maqedonase e përkrah pushtetin e zgjedhur në mënyrë demokratike në Ankara dhe ka marrë vendime konform legjislacionit të vet. Kështu u përgjigj ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë Nikolla Poposki i pyetur nëse vërtet Shkupi ka marrë vendim për mbylljen e organizatave në Maqedoni për të cilat Qeveria e Tayyp Erdoganit dyshon se kanë lidhje me Fetthullah Gulenin.

“Qëndrimi ynë ka qenë dhe do të jetë se Maqedonia përkrah vetëm pushtetin demokratikisht të zgjedhur në Turqi dhe në këtë drejtim do të bashkëpunojë me Qeverinë në Ankara për realizimin e qëllimeve të tyre, gjithsesi në pajtim me legjislacionin tonë dhe interesat tona. Lidhur me pyetjet për vendimet e Qeverisë, po! Qeveria ka marrë vendime, të gjitha vendimet që do t’i merrnim dhe që do t’i marrim janë në pajtim me legjislaturën tonë, interesat tona nacionale dhe kjo ka qenë dhe do të jetë kështu”, deklaroi shefi i diplomacisë maqedonase pas takimit të sotëm me kolegun e tij grek Nikos Koxias.

Pak ditë më parë një deklaratë të ngjashme dha edhe Behixhudin Shehapi funksionari i lartë në Qeverinë maqedonase nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit.