Mariq u shkarkua se nuk bashkëpunoi me komunat

Kryetari i Listës “Srpska”, Sllavko Simiq, ka bërë të ditur se ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, është shkarkuar për shkak të dështimit për t’u koordinuar dhe për të bashkëpunuar me qeveritë lokale. Ndërsa zyrtarët qeveritarë shpresojnë se ky subjekt politik shumë shpejt do të kthehet në institucione

Lubomir Mariq është shkarkuar nga pozita e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës për shkak se nuk bashkëpunonte dhe nuk koordinohej me qeveritë lokale. Kështu ka deklaruar Sllavko Simiq, kryetar i Listës “Srpska”, në një deklaratë që ia ka dhënë portalit “Kossev” në veri të Mitrovicës, menjëherë pas zyrtarizimit të Mirjana Jevtiqit në postin e ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal, të martën.

“Lubomir Mariq ka qenë para shkarkimit për shkak të mosbashkëpunimit dhe moskoordinimit të Ministrisë që ka drejtuar ai me qeveritë komunale. Deputetët e Listës ‘Srpska’ kanë dëshiruar që mandati t’i besohet Mirjana Jevtiqit, në mënyrë që në krye të Ministrisë të vijë për herë të parë një femër nga komuniteti serb dhe në mënyrë që t’i ikët çfarëdo forme të destabilizimit politik, i cili do të prolongonte formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”, ka thënë Simiq.