Marrëveshjet e Brukselit legalizuan ndarjen e Kosovës

Sakte.net /e Premte 30 Shtator 2016 – 09:17      

Debat maratonik kanë zhvilluar deputetët e Kuvendit të Kosovës në dy interpelancat e kryeministrit Isa Mustafa për kodin telefonik dhe situatën në veri të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Por dy rezolutat e propozuara nga iniciuesit e interpelancës, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk janë hedhur fare në votim për shkak të mungesës së kuorumit. Opozita ka fajësuar Qeverinë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka sjellë integrimin e serbëve dhe se marrëveshjet e deritashme vetëm sa e kanë legalizuar prezencën e shtetit serb në veriun e populluar me shumicë serbe.

Por kryeministri Isa Mustafa ka folur për progres në veri dhe integrim të serbëve në institucione. Edhe pse iu kërkua, shefi i Qeverisë asnjë fjalë nuk e ka thënë për arrestimin e drejtorit të policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçi, nga policia serbe. Diskutimet për veriun kanë përplasur deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu, dhe atë të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi të cilët kanë akuzuar njëri-tjetrin për pengim të kthimit të shqiptarëve në pronat e tyre në veri.