Mavraj eliminon ish-ekipin, i lëshon sfidë Italisë

Skuadra kombëtare do të luajë më 24 mars në stadiumin “Renzo Barbera” me përfaqësuesen e Italisë, në një ndeshje të cilësuar nga të dyja palët si mjaft të rëndësishme për vazhdimësinë në grupin G kualifikues për finalet e Kampionatit Botëror “Rusi-2018”. E vërteta është se italianët konsiderohen favoritë, nisur dhe nga fakti i thjeshtë se janë një prej skuadrave më të mira në botë. Por kuqezinjtë nuk tremben nga ky fakt. Lojtarët dhe stafi besojnë se mund të marrin pikë përballë kombëtares axurre dhe këtë besim e ka shprehur edhe vetë trajneri italian i Kombëtares Shqiptare, Xhani de Biazi. Gjendja e disa lojtarëve që nuk kanë minutazhin e duhur në këmbë e ka shqetësuar disi De Biazin, por ka lojtarë të tjerë që po kalojnë një moment të shkëlqyer dhe janë gati të kontribuojnë në një ndeshje të madhe ku kuqezinjtë synojnë të lënë gjurmë. Në Palermo nuk do të jetë një ndeshje e thjeshtë ndërkombëtare, por një sfidë midis fqinjësh, për më tepër që në Itali jeton një komunitet mjaft i madh emigrantësh shqiptarë, të cilët po përpiqen të pajisen me biletë që të kenë mundësinë të shohin këtë takim. Një nga lojtarët stabël të përfaqësueses tonë, Mërgim Mavraj, beson se Kombëtarja Kuqezi do të marrë rezultat pozitiv dhe do të ruajë ende shpresat e saj për një vend të mirë në klasifikimin e grupit G, pavarësisht se disfata me Izraelin në “Elbasan Arena” i ka dëmtuar jo pak objektivat e përfaqësueses tonë për kualifikim. Mavraj ka bërë një performancë të shkëlqyer gjatë ndeshjeve të fundit të Hamburgut në Bundesligë, si dhe në Kupën e Gjermanisë. Dy ditë më parë, falë lojës së tij të mrekullueshme, ai eliminoi ish-ekipin, Këlnin, duke ndihmuar mjaft në suksesin e Hamburgut. Mavraj mori notën më të lartë në këtë takim dhe mediat gjermane e cilësuan liderin e vërtetë të Hamburgut. Në fakt, i kanë mjaftuar vetëm 4 ndeshje për të fituar zemrat e tifozëve të tij të rinj. Pasi shkëlqeu me Këlnin në fazën e parë të kampionatit, duke u përfshirë nga faqja zyrtare e Bundesligës në 11-shen më të mirë të pjesës së parë të sezonit, Mërgim Mavraj menjëherë ka marrë në dorë çelësat e mbrojtjes së Hamburgut. Në 2 ndeshjet e para të këtij viti, skuadra nga Veriu i Gjermanisë pësoi 2 humbje, ndaj Volfsburgut dhe Ingolstadt, por jo për faj të Mavrajt i cili në 2 takimet e fundit është shfaqur si një lider i vërtetë në prapavijën e Hamburgut, duke i dhënë qetësinë e nevojshme ekipit. Trajneri Markus Gisdol tashmë e ka të pamundur të privohet nga shërbimet e kuqeziut i cili ishte një nga të më të mirët në fushë për Hamburgun në suksesin që arriti ndaj Këlnit me shifrat 2-0 në raundin e 1/8-ave të Kupës së Gjermanisë. Fitorja ndaj Leverkusenit në kampionat u pasua nga një tjetër sukses shumë të rëndësishëm, me Hamburgun që nuk pësoi gol për të dytën ndeshje radhazi. Mavraj ia doli të triumfonte ndaj ish skuadrës së tij dhe tashmë dëshira e mbrojtësit është të vazhdojë me këto ritme në mënyrë që të jetë në 100% të formës edhe për sfidën e muajit Mars ndaj Italisë në Palermo. Mediat gjermane e vlerësuan maksimalisht paraqitjen e shtatlartit shqiptar i cili nga ndeshja në ndeshje po tregon se është një mbrojtës i jashtëzakonshëm. Paraqitjet e tij në fushë për pjesën e parë të sezonit i shijuan tifozët e Këlnit ndërsa tashmë është radha e atyre të Hamburgut për t’iu gëzuar klasit të Mërgim Mavrajt. Për t’u kthyer tek Kombëtarja, Mavraj beson se kuqezinjtë do të shkruajnë një faqe të re në ndeshjen ndaj Italisë. Ai e sfidon përfaqësuesen italiane dhe mendon se në futboll asgjë nuk është e pamundur. “Ne do të luajmë shpresat tona, do të bëjmë lojën tonë dhe jam i bindur se mund të marrim pikë përballë Italisë. Ne do të zbresim në fushë për të marrë më të mirën”, theksoi Mavraj, i cili ndjek kështu linjën e lojtarëve të tjerë të Kombëtares që besojnë se ndaj Italisë skuadra e Shqipërisë do të japë spektakël.