Mavraj, gati kontrata e re

Mërgim Mavraj ka zbuluar se ka nisur bisedimet për vazhdimin e kontratës me skuadrën nga Bundesliga, Koln

Mërgim Mavraj është pranë rinovimit të kontratës me skuadrën e Kolnit. Vetë mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, që ka kontratë deri në vitin 2017, e konfirmon lajmin në një intervistë për mediat gjermane.

“Kemi nisur bisedimet për këtë çështje dhe së shpejti do të kemi gjëra konkrete. Situata është pozitive dhe Kolni mbetet përherë zgjedhja e parë për mua”, është shprehur 30-vjeçari për portalin “Geissblog”.

Për qendërmbrojtësin e Kombëtares, në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës u fol edhe për një interesim nga Sampdoria, por vetë lojtari disa herë e ka bërë të qartë dëshirën për të vazhduar në Bundesligë.

“Nuk ka ndryshuar asgjë në muajt e fundit. Unë jam një person që përqendrohet te momenti, dhe për momentin jetoj këtu. Jam shumë mirënjohës dhe nuk kam arsye të mendoj ndryshe”, theksoi ish lojtari i Bochumit.