Mbante familjen me punë në Gjermani: Rrëfimi për 24-vjeçarin që vdiq në aksidentin e së premtes në Mramor

Agron Shala, 24-vjeçar, nga fshati Ponesh i komunës së Gjilanit, kohë pas kohe shkonte në Gjermani, si shumë të rinj tjerë kosovarë, për të bërë punë sezonale, në mënyrë që ta mbante familjen e tij. Por, këtë punë ai më nuk do të mund ta bëjë. Kjo ngase Agroni bashkë me tre anëtarë të familjes së tij, ndërruan jetë tragjikisht mbrëmjen e së premtes në një aksident trafiku në të cilin u përfshi edhe eskorta e ambasadores turke. Familjarët fajësojnë eskortën e ambasadores turke për shkaktimin e aksidentit. Të tri viktimat do të varrosen sot në Ponesh. Gazeta Express jua sjellë rrëfimin tragjik për njërin nga anëtarët e kësaj familjeje.

E kanë hapur të pamen për t’i pritur njerëzit për ngushëllime pas vdekjes së tre anëtarëve të familjes së tyre. Agron Shala, 24-vjeçar, Osman Shala dhe Arife Shala, 88-vjeçarë, janë tre anëtarët e familjes Shala  nga fshati Ponesh i komunës së Gjilanit që ndërruan jetë në aksidentin tragjik të ndodhur në Mramor të premten mbrëma. Në aksident ndërroi jetë edhe mbesa e familjes Shala, Elfete Rashiti, 65-vjeçare, shkruan Express.

Në këtë aksident ishte e përfshirë edhe eskorta e ambasadores së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç.

Por, nga familja e të ndjerëve po deklarojnë se nuk e dinë se si ka ndodhur aksidenti dhe se kush ka qenë në shpejtësi e kush jo.

Daja i Agronit thotë se në aksidentin që ndodhi të premten ishin tri vetura të kësaj familjeje që kishin shkuar në një të pame te familjarët e tyre.

“Aksidenti ka ndodhur duke u kthyer nga e pamja tek gjyshja e Agronit. Ishin tri vetura të kësaj familjeje, ku janë aksidentuar me eskortën e Turqisë”, u shpreh daja i të ndjerit.

Familja e hapi të pamen në fshatin Ponesh

“..ende nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Por, kur ata kanë ardhur në Mramor, ambasadorja turke me Q7 kerrin, gjoja se ai djali ka hy në tejkalim dhe e ka goditë prap Audia nga prapa”, shpjegon për aksidentin njëri nga familjarët e të ndjerit.

Ata deklarojnë se familja Shala kushtet financiare nuk i ka të mira. I vetmi burim financiar ishte puna që tashmë e bënte i ndjeri, Agroni, 24-vjeçar, i cili kishte punuar në Gjermani.

“Kushtet nuk i kanë aq mirë, ngase nuk punon asnjëri nga familjarët. Ky ma (Agroni), ka qenë azil dhe e kanë kthyer në Kosovë”, rrëfehen me lotë në familjen e të ndjerëve.

Agron Shala, 24-vjeçar, Osman Shala dhe Arife Shala, 88 vjeçarë, do të varrosen sot gjatë ditës në varrezat e fshatit Pones të komunës së Gjilanit, shkruan Gazeta Express.

Ndërkohë, organet e hetuesisë kosovare po i vazhdojnë hetimet rreth këtij aksidenti të rëndë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, deklaroi për mediat se sipas vendit të ngjarjes, shkaktar i aksidentit është tejkalimi.

‘Sipas vendit të ngjarjes, shkak i aksidentit është tejkalimi nga vetura, në të cilën mbetën të vdekur tre persona, edhe pse në atë pjesë tejkalimi ka qenë i lejueshëm’’, tha Beka.
Ai shtoi se për këtë aksident nuk ka ende ndonjë person të ndaluar.

Vendi ku ka ndodhur aksidenti

‘Të ndaluar nuk ka njëherë, po e presim ekspertizën rreth aksidentit, por shenjat e para janë se fajtor i këtij aksidenti është ngasësi i veturës, i cili ka vdekur’, tha Beka.

Ai shtoi se sipas prokurorit kujdestar, edhe pse tejkalimi në atë pjesë ka qenë i lejueshëm, shoferi i veturës nuk e ka matur mundësinë për tejkalim.

Në këtë aksident ishte përfshirë edhe eskorta e ambasadores së Turqisë në Kosovës, Kivilcim Kiliç.

Kryeprokurori Beka tha pse nga eskorta e ambasadores më së shumti lëndime ka pësuar kjo e fundit.

Ambasadorja turke që pësoi lëndime në këtë aksident është dërguar në Turqi për trajtim mjekësor.

Lini Një Koment