Mbi dy shkaqe dhe pasojat e tyre në shtetndërtim

Shkruan: Enver Hasani

Fjala është për defekte të thella strukturore, shkaqet e të cilave gjenden në fqinjin tonë verior, i cili ka marrë pozitë dhe fuqi të madhe këtyre viteve të fundit. Kjo fuqi ka shkuar duke u rritur në veçanti pas takimit Putin-Trump në Helsinki. Krahas këtij shkaku ekziston dhe një shkak tjetër, që ka të bëjë me llojin e demokracisë kosovare dhe natyrën e sistemit zgjedhor si mekanizëm zbatues i formës kryesore të demokracisë kosovare

Ky shkrim nuk mëton të shtjellojë, aq më pak të analizojë se kush dhe si do të fitojë në këto zgjedhje, kush me kënd do të bëhet dhe, mbi të gjitha, nuk mëton të jep leksione morali për momentin historik nëpër të cilin po kalon Kosova (sic!). Fundja, momenti historik i Kosovës sot është i ngjashëm më momentin historik që e kanë pasur shqiptarët pas shpalljes së pavarësisë (1912), bullgarët pas Luftës së Dytë Ballkanike (1913), serbët pas unifikimit të sllavëve të jugut, me përjashtim të bullgarëve (1918), kroatët, maqedonasit, sllovenët, dhe malazezët pas shpalljes së pavarësisë së tyre dhe kështu me radhë. E thënë me fjalë të tjera, momenti historik për Kosovën është historia momentale e saj që konsiston në përpjekjet titanike për konsolidim të shtetit të krijuar, të cilat po hasin në vështirësi të njëjta siç kanë pasur popujt tjerë anekënd botës në kohën që kanë krijuar shtet nga e para. Kjo histori momentale e Kosovës rrjedh për shkak të disa faktorëve, të cilët i quaj faktorë të lejueshëm (permisiv), në ndërkohë që fenomenet që manifestohen në formë të vështirësive kolosale për ndërtimin e shtetit kosovar përfaqësojnë pasojat e shkaqeve si më sipër. Sikundër dihet, njerëzit që nuk kanë fort mirëkuptim për perspektivën, merren me pasojat e shkaqeve, jo anasjelltas, diçka që në fenomenet shoqërore nuk është pa çmim.  

Dy shkaqe të natyrës strukturore dhe sistemore

Në dukje, koalicionet dhe formimi i tyre, vështirësitë që hasen në formimin e tyre dhe në ndërtimin e organeve të reja në vijim të vënies në jetë të votës së lirë të qytetarit janë të njëjta me vështirësitë nga e kaluara e pasluftës. Për aq sa ato kanë karakter të pastër politik, vërtet paraqesin vështirësi. Këtu, megjithatë, nuk bëhet fjalë për vështirësi rutinë në formimin e koalicioneve dhe të organeve të shtetit pas certifikimit të votës së lirë të qytetarit. Fjala është për defekte të thella strukturore, shkaqet e të cilave gjenden në fqinjin tonë verior, i cili ka marrë pozitë dhe fuqi të madhe këtyre viteve të fundit. Kjo fuqi ka shkuar duke u rritur në veçanti pas takimit Putin-Trump në Helsinki. Krahas këtij shkaku ekziston dhe një shkak tjetër, që ka të bëjë me llojin e demokracisë kosovare dhe natyrën e sistemit zgjedhor si mekanizëm zbatues i formës kryesore të demokracisë kosovare. Këto dy shkaqe paraqesin rrënjët e pasojave që manifestohen si vështirësi të jashtme të Kosovës në rrugën e saj të konsolidimit shtetëror. Dikush do të thotë se korrupsioni dhe krimi i organizuar po neglizhohen nga ky autor. Kjo nuk është kështu sepse ky fenomen i shëmtuar është pasojë pikërisht e dy shkaqeve si më sipër: sa të jenë në pushtet këta që kanë marrë në dorë, përmes mekanizmave demokratikë, krejt levat e pushtetit, Kosova do të ndeshet me korrupsion e krim të organizuar, izolim ndërkombëtar dhe dhunim të dinjitetit të qytetarit dhe fenomene të tjera të këqija, ashtu siç janë ndeshur vendet përreth Kosovës në periudhat postrevolucionare në një kohë të caktuar në të kaluarën e tyre. Kjo është kështu edhe gjetiu dhe këtë e bëjnë revolucionet, përmbysin vlerat themelore të shoqërisë dhe restaurojnë shtresat shoqërore të lëna anash, borgjezimi i të cilave kërkon kohë dhe gjenerata. Kjo vlen edhe për revolucionet borgjeze, por kjo këtu nuk ka rëndësi. Rëndësi ka të vërehet se pikërisht mosmarrëveshjet tona me fqinjin verior kanë prodhuar sistemin kushtetues kosovar , si mënyrë e transformimit civilizues të vendit, shkak ky që në të njëjtën kohë prodhon dhe riciklon politikanë të korruptuar dhe me një nivel të mjerë kulturor e intelektual.

Fqinji ynë verior

Shkak i pandryshueshëm që shpjegon sjelljen serbe ndaj Kosovës është miti për këtë vend. Pakkush nga ne, si dhe nga ata që pak marrin vesh kah historia e Ballkanit, nuk e kanë të njohur idenë dhe praktikën e Serbisë së Madhe. Të huajt u çuditën kur panë në fillim të luftërave në ish-Jugosllavi se serbët po vrisnin boshnjakët myslimanë dhe kroatët katolik në emër të çlirimit të Kosovës dhe marrjes hak për të. Ishin intelektualët francezë ata që të parët zbuluan se kishte qenë vetë Vuk Karaxhiq, babai i “Iluminizmit serb”, ai që i pari kishte përdor në fillim të shekullit 19-të termin “pastrim etnik”, për të përshkruar eliminimin fizik të turqve dhe të popujve joserbë pas rimarrjes së Beogradit nga otomanët. Kjo rrethanë e bëri të qartë në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar se serbët po u ktheheshin politikave të vjetra të projektit të Serbisë së Madhe, duke kryer pastrim etnik dhe gjenocid në emër të mitit të Kosovës. U mur vesh, krejt kjo politikë kishte për synim zgjerimin territorial të Serbisë. Riciklimi i kësaj politike serbe këtë herë, megjithatë, po bëhej në një ambient ndërkombëtar krejtësisht të pafavorshëm për serbët: në ndërkohë që rendet ndërkombëtare të krijuar në Versajë dhe në Jaltë i shkonin për shtati projektit të Serbisë së Madhe, ky që u krijua pas rënies së komunizmit favorizoi pafund popujt e robëruar, përfshirë Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan, duke i demaskuar serbët. Kjo u bë e mundur sepse rendi i ri, i cilësuar me arsye “Pax Americana”, bazohej në vlera, parime dhe institucione liberale dhe demokratike që mishëronin kulturën politike judeo-kristiane të tolerancës, respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës së popujve dhe qytetërimeve diverse. Autori këtyre rreshtave ka pasur nderin të jetë dëshmitar i “Pax Americana” në Rambuje, kur përfaqësuesit rusë mezi dalloheshin se janë prezentë në anën e atyre që ndërmjetësonin mosmarrëveshjen tonë me Serbinë. Pas Rambujesë, gjatë sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, “Pax Americana” shkëlqeu në maksimum: Boris Jelcin, krejt çka mundi të bëjë ishte të urdhëroj ministrin e tij të jashtëm që të kthehej nga rruga për në Uashington, ku ishte nisur për të kërkuar një hua që amerikanët do ia jepnin si lëmoshë.

Kjo kohë i takon një rrethane historike që vështirë se përsëritet më: rendi ndërkombëtar që ishte krijuar nga amerikanët pas Luftës së Dytë Botërore dhe që kulmoi në fytyrën e “Pax Americana”, ka nisur që në kohën e presidentit Barak Obama të tregojë shenjat e tij të dobësimit. Kjo u pa qartë në krizën dhe luftën civile siriane, për të ardhur edhe më brutalisht në shprehje në këtë administratë: presidenti Trump në fillim u duk sikur po rikthente shkëlqimin e “Pax Americana” kur dërgoi luftë anijet në brigjet e Koresë së Veriut.  Kjo përforcohej me hapat tjerë të politikës së jashtme amerikane kundrejt Kinës dhe Evropës, ani se në atë kohë me rusët akoma nuk ravijëzohej diçka e re e ndryshme nga administrata e presidentit Barak Obama. Marrja e primatit në Siri nga ana e rusëve dhe nxjerrja jashtë loje e amerikanëve, tregonte qartë se orientimi i vetëm dhe kryesor amerikan në Lindje të Mesme dp të ishte Irani dhe frenimi i politikave imperialiste të këtij vendi. Ky frenim, pas triumfit rus në Siri, nuk do shumë mend për ta kuptuar se nuk mund të bëhet pa ndihmën ruse.  E njëjta vlen edhe për Kinën dhe Korenë e Veriut: këtë të fundit amerikanët mendojnë ta zbusin disi për të siguruar tregti të lirë dhe liri lundrimi në “Hormuzin” e juglindjes aziatike, i njohur si Deti Kinës Veriore.

Kjo qasje e re në politikën e jashtme, ku “America First” nënkupton me çdo kush shtyrjen e një agjende, edhe atëherë kur kjo nënkupton koncesione ndaj vendeve që janë konkurrent për vdekje të Amerikës në politikën globale, pikërisht në Lindje të Mesme dhe në Azinë Juglindore. Se kjo është kështu në vazhdimësi mund të provohet nga hapat e marrë nga administrata Trump që nga takimi i Helsinikit me presidentin rus Putin e deri në takimin e G7 i para dy ditëve, ku u dhanë shenjat e qarta se një takim i Trump me liderët iranianë pritet të ndodhë së shpejti. Të gjitha këto riorientime amerikane në politikën e jashtme i ka parasysh administrata e presidentit serb Vuçiq në Beograd, i vetëdijshëm që pjesë të caktuara të projektit të Serbisë së Madhe mund të lëshohen tani në qarkullim dhe potencialisht të realizohen, pa ndonjë vështirësi, sepse në dialogun me Kosovën përgjatë tërë këtyre viteve ai ka arritur të dëshmojë se krejt opsionet pos copëtimit të Kosovës janë provuar nga palët ashtu që, për pasojë, edhe kjo tani duhet të provohet. Kjo nënkupton se copëtimi i Kosovës nuk është qëllim por mjet për realizimin gradual të pjesës tjetër të projektit të Serbisë së Madhe, gjithnjë duke qenë të bindur se kjo gjendje e fuqisë ruse e kineze kundrejt amerikanëve do të shkojë, nëse jo duke u rritur atëherë së paku do të ngelë siç është. Kaq mjafton për serbët. Faza tjetër e projektit, pasi të sjell sovranitetin serb te Ura Ibrit, do të jetë vënia në jetë e ndërtimit të korridoreve në emër të lëvizjes së lirë të ideve dhe mallrave, në veçanti kur këto ide e mallra kanë të bëjnë me Kishën Serbe dhe objektet e saj që janë në jug të lumit Ibër.

Marrëveshja që synohet të arrihet me Serbinë, kërkon plotësimin e disa kushteve, ndër të cilat është ai i pranimit nga të dy palët. Për të plotësuar këtë kusht nuk duhet që palët  t’i nënshtrohen asnjë procedure demokratike. Bile duhet të jenë sa më larg syve të votuesit dhe publikut dhe të shkëputen nga çdo trupë zgjedhore. Kjo tutje nënkupton se legjitimiteti i atyre që mund të negocionin dhe nënshkruajnë copëtimin e vendit nuk buron nga vota por nga “meritat e luftës”, ajo që M. Weber më duket e ka quajtur si legjitimitet që buron nga lufta, ku politika nuk është arsye por pasion që shijohet me stomak, asnjëherë me mendje. Kjo shpjegon pse trumbetohet që Kosovës “i duhen liderë të guximshëm që marrin përgjegjësi”, jo asi që fitojnë vota të qytetarit për të qeverisur me duar të pastra, në mënyrë profesionale, të ndershme dhe të drejtë.

Për këto arsye fqinji ynë verior përbën shkaktarin e parë sistemor të lejueshëm (permisiv)  që prodhon vështirësitë e shtetndërtimit në Kosovë, që përkthehen në fuqizimin permanent dhe legjitimimin e strukturave të dala nga lufta, ku vota dhe qeverisja e mirë nuk kanë asnjë relevancë.

Demokracia kushtetuese kosovare dhe sistemi zgjedhor

Shkaku i dytë strukturor që prodhon në vazhdimësi vështirësi në shtetndërtimin e Kosovës ka të bëjë me llojin e demokracisë kushtetuese dhe sistemin zgjedhor si komponentë e kësaj demokracie.

Në ndërkohë që shkaku i parë si më sipër është i paparashikueshëm dhe i dëmshëm, ky i dyti nuk ka cilësi të tilla: demokracia kushtetuese konsociacionale përbën një ndër vlerat më të mira që ka sistemi politik kosovar. Përveç që pushteti buron nga populli dhe ushtrohet në bazë të kushtetutës dhe ligjit, në Kosovë ky pushtet ka disa kufizime shtesë që i kërkojnë asaj të ketë kujdes të shtuar për komunitetet pakicë, krahas qeverisjes së mirë. Kjo bën që Kosova të mësojë të jetojë me tjerët nëpër bashkësi, të ndajë me ta pushtetin dhe hapësirën jetësore, duke ndërtuar struktura qeverisëse vitale që i qëndrojnë çdo dridhjeje shoqërore. Mekanizimi kryesor që farkëton këtë përbashkësi dhe këtë qeverisje të mirë është ai i zgjedhjeve sepse përmes votës së lirë legjitimohet secili pushtet, i cili më pastaj formohet,  zhvillohet dhe largohet sipas proceduarave të paracaktuara kushtetuese e ligjore. Në Kosovë, sistemi zgjedhor brenda të cilit zhvillohen zgjedhjet është i atillë që përqindja e përgjithshme prej 100 për qind nuk reflekton tërë trupën zgjedhore, por është e ndarë mekanikisht në mes të komunitetit shqiptar dhe atij joshqiptar. Ky i fundit pastaj ndahet në komunitetin pakicë serb dhe komunitetin pakicë joserb. Kur të përllogariten votat e hedhura dhe në fund kur të bëhet mbledhja e krejt e votave, sistemi proporcional kosovar favorizon dispozitat kushtetuese dhe vullnetin kushtetues e ligjor, jo atë politik të shumicës së trupës zgjedhore të komunitetit shumicë. Kur kësaj i shtohet edhe metoda e përllogaritjes së përqindjeve të votës së tërësishme, atëherë del se progresioni aritmetik i sistemit proporcional kosovar u jep më shumë atyre që në bazë kanë fuqi më pak dhe më pak atyre që në bazë kanë fuqi më shumë. Krejt kjo e bën të paparashikueshëm tërë fatin e votës përfundimtare, duke i trimëruar njëjtë si ata që kanë shumë fuqi në bazë ashtu edhe ata që kanë fare pak fuqi të tillë. Në një kulturë politike si Kosova, ku nuk ka pasur përvojë dhe akoma nuk kuptohet kjo teknologji e funksionimit të sistemit zgjedhor, kjo ka bërë që në prag të zgjedhjeve nacionale, akterët kryesorë të nisin sharjet dhe fyerjet pa rezervë të kundërshtarëve politikë.

Në aspektin e ndërtimit të kulturës politike ky sistem zgjedhor përbën një levë shumë të fortë civilizuese: në fakt, nuk do të mund ta emëroja edhe një segment tjetër që ka ndihmuar më shumë në demokratizimin e Kosovës se sistemi zgjedhor që u instalua në vend pas vitit 1999. Kështu,  ky sistem ka hapur dyert të gjithëve për të thënë çfarë të duan. Kjo situatë përbën faktorin e dytë të lejueshëm, që është i barabartë për të gjithë. Kjo liri e shprehjes së mendimit, e garantuar me kushtetutë, ka një çmim: ata që gjatë dhe pas çdo zgjedhjeve nacionale shajnë, fyejnë dhe poshtërojnë rivalët politikë dhe çdo njeri tjetër që nuk mendon si ta, në emër të monopolit të cilësive të caktuara morale, njerëzore, profesionale, intelektuale dhe të tjera duhet ta dinë se një ditë dikush do të hidhërohet dhe nuk do ta harrojë një gjë të tillë. Në demokraci nuk mund të ketë gardianë të moralit publik, e thotë diku Robert Dahl, por vetëm institucione deliberative dhe mekanizma gjyqësor që vlerësojnë parimet dhe vlerat kushtetuese të një shoqërie në pajtim me interesat e prekshme të së tashmes dhe së ardhmes. E thënë ndryshe dhe me terma letrar kadarean, ata që luajnë rolin e kryepeshkopit të censurës shpirtërore në jetën publike duhet ta dinë që një gjë e tillë ka çmim që duhet ta paguajnë vetë ata që e luajnë, duke uzurpuar vlerat dhe parimet e rregullave të lojës politike që u takojnë të gjithëve. Ky çmim nganjëherë reflektohet në vështirësi gjatë formimit të koalicioneve dhe organeve shtetërore që dalin nga vota e lirë, gjë që nuk është e keqe në vetvete. Përkundrazi, në rrethana normale vështirësitë e kësaj natyre paraqesin forum për trajnim dhe fitim përvojash politike. Kështu nuk është në Kosovë, megjithatë, sepse vështirësitë në shtetformim , në esencë , nuk burojnë nga ky shkak, por nga shkaku i parë që lidhet me rolin dhe pozitën shumë të fuqishme të fqinjit tonë verior, së paku për momentin. Këto vështirësi me origjinë këtë shkak e bëjnë të pakuptimtë dhe të pavlerë demokracinë sublime kosovare, duke e kthyer atë në hapësirë manovrimi për korrupsion dhe krim të organizuar.

Autori është ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme