Mësime nga gabimet e Shkupit

Autor: Elmazi Isufi

Hasanbegu i banuar kryesisht me shqiptarë, gjeografikisht është shumë pranë Kosovës. Edhe kushtet klimatike e të infrastrukturës nuk dallojnë nga ato që janë këndej kufirit. Nuk dallon as cilësia e qeverisjes dhe as trajtimi e kujdesi ndaj qytetarëve. Maqedonia pas kësaj eksperience tragjike mund të korrigjojë strategjinë ndaj fatkeqësive natyrore. Këtë mund ta bëjë edhe Kosova, ani që ka pasur fatin që të ketë pak përvoja me situata emergjente

Familja Fejzullahu nga Hasanbegu nuk ka mundur ta gjente trupin e Elifit, vajzës 16-muajshe, që humbi në dallgët e ujit, në ditën kur u përmbyt nga vërshimet një pjesë e periferisë së Shkupit. Kjo familje humbi po atë ditë edhe babanë e Elifit, në njërën nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në Maqedoni. Gjithsej 21 veta të Hasanbegut dhe Stajkovcit gjetën vdekjen në atë që për banorët është dukur si “nata e kiametit”.

Dhe kur po bëhen dy javë nga tragjedia, e tërë vëmendja publike është ende tek bilanci i viktimave, i dëmeve materiale dhe angazhimi i ekipeve për ndihmë familjeve të dëmtuara.

Fare pak është folur për shkaktarët e vërtetë – nëse ishte vetëm shiu, sado i pazakontë të ketë qenë, apo aty ka gisht edhe faktori njeri.

Qeveria e Shkupit hoqi përgjegjësinë nga vetja dhe tha se ka nisur hetimet. Ndërsa, të dëmtuarit, shqiptarë e maqedonas, meqë kanë hallin e njerëzve të humbur dhe shkatërrimit të pronave që shkon në afro 5000 shtëpi, nuk kanë denoncuar ende fajtorët që i kanë kontribuuar kësaj të keqeje.

Megjithatë, nga ato pak analiza prej ekspertësh, por edhe nga dëshmitarët, del se shkaktarët janë edhe institucionalë. Vendimtar në shkakun që çoi në vdekjen e mbi 20 vetave, sipas tyre, janë dëmtimet e pyjeve, eksperimenti i qeverisë me ndërtimin e një liqeni të vogël afër Stajkovcit, ku është akumuluar uji që vjen nga malet, kapaciteti i vogël i kanaleve kulluese dhe mosmirëmbajtja e tyre. Meqë u ishin mbyllur të gjitha shtigjet rrjedhjeve, ato së bashku kishin formuar një masë gjigante uji që më pas kishte marrë drejtimin kah fshatrat më të afërta.

Hasanbegu i banuar kryesisht me shqiptarë, gjeografikisht është shumë pranë Kosovës. Edhe kushtet klimatike e të infrastrukturës nuk dallojnë nga ato që janë këndej kufirit. Nuk dallon as cilësia e qeverisjes dhe as trajtimi e kujdesi ndaj qytetarëve. Maqedonia pas kësaj eksperience tragjike mund të korrigjojë strategjinë ndaj fatkeqësive natyrore. Këtë mund ta bëjë edhe Kosova, ani që ka pasur fatin që të ketë pak përvoja me situata emergjente.

Nga paslufta mbahet mend vetëm tërmeti që goditi Gjilanin me rrethinë, më 2002, kur një person humbi jetën, dhe orteku i borës që 10 vjet më vonë rrënoi shtëpitë e një mëhalle në Restelicë të Dragashit. Në këtë të fundit dhjetë pjesëtarë të familjes Reka mbetën të vdekur, ndërsa mbi 20 shtëpi dhe objekte përcjellëse u dëmtuan.

Por, pavarësisht rasteve të pakta, raportet dhe studimet ndërkombëtare alarmojnë për mundësinë e paraqitjes në çdo kohë të fenomeneve të rrezikshme për jetën e njerëzve në Kosovë. Nuk përjashtohen tërmetet, meqë Kosova bën pjesë në hartën e vendeve potencialisht të kërcënuara, ndërsa më shumë përmenden rreziqet që mund të vijnë nga keqmenaxhimi i resurseve natyrore, degradimi i lumenjve, shkatërrimi dhe djegia e pyjeve, eksploatimi i dheut dhe rërës, ndërtimet e larta pa kriter, ndotja e ambientit dhe abuzimet e tjera.

Shumica e qyteteve në Kosovë përmbyten edhe nga reshjet që me sasinë e tyre nuk do të duhej të shfaqnin probleme. Tokat që shtrihen në zonat e ulëta çdo vit pushtohen nga uji. Dhe çdoherë si përfundim del se mungojnë kanalet kulluese, se shtretërit e lumenjve nuk janë pastruar dhe se mundësitë buxhetore dhe teknike u mungojnë përgjegjësve institucionalë në qendër dhe në komuna.

Një tjetër kërcënim i heshtur vjen nga liqenet akumuluese. Secilit qytet të Kosovës “i rri mbi kokë” të paktën një i tillë që shërben për furnizim me ujë, e që për mijëra herë kanë kapacitetin e ujit më të madh se ai që bëri kërdinë në Maqedoni. Nga ata që menaxhojnë me to, merret vesh se nuk është bërë studim për gjendjen e tyre dhe qëndrueshmërinë e mureve të digave. Por nuk e kanë dert të garantojnë siguri maksimale, duke dhënë parashikime paushall se ato kanë jetëgjatësi deri 200 vjet.

Vërtet duhet të besojmë se ato mund të përballojnë peshën dhe presionin e ujit që mbajnë, por askush nuk na bind se ato mund t’u rezistojnë tërmeteve të fuqishme. Këtë shqetësim e gjejmë edhe tek raportet ndërkombëtare. Nëse asgjë tjetër, do të duhej që banorët e zonave që mund të preken më lehtë nga fatkeqësitë, të paktën të ndërgjegjësohen për mënyrën dhe format e reagimit, të ketë strategji evakuimi dhe ekipe të specializuara shpëtimi.

Me shpresën se shteti do të marrë mësimet nga Hasanbegu, ne lutemi që të mos ketë nevojë asnjëherë për aplikimin e këtyre masave e as intervenimin e specialistëve, por, siç thotë një moto e kompanive të sigurimit – më mirë të kesh një sigurim e të mos të hyjë në punë asnjëherë, sesa të mos e kesh kur të duhet.

Dilema jo vetëm në këtë rast është se a janë reshjet dhe fenomenet e tjera natyrore më të pazakonta se dikur, apo ne jemi ata që kemi hapur frontin me ligjet e natyrës dhe duam deformimin e saj. Në Shqipëri, teksa përplaseshin për atë nëse shteti ka faj për përmbytjet e shpeshta në zonën e Shkodrës, më ka rënë të dëgjoja një konkluzion: Nuk kanë faj reshjet, por kanë faj njerëzit që kanë ndërtuar shtëpitë në atë që konsiderohet shtrati i ujit.

Në këtë kontekst më duhet të sjell në vëmendje edhe një skenë nga filmi “Noah” dhe dialogu që zhvillohet mes gruas dhe burrit që bashkë me fëmijët e tyre ishin përzgjedhur nga Zoti për shpëtim dhe ishin urdhëruar të ndërtonin varkën prej druri, ku do të gjenin strehë të gjitha llojet e kafshëve. Aty na shpërfaqet në mënyrën më të mirë se si krijesa që quhet njeri, me tërë forcën dhe format e saj, ka dëmtuar funksionimin perfekt të natyrës. Në pyetjen e gruas drejtuar burrit të saj, Noas (Russell Crowe), se pse Zoti ka vendosur të zhdukë nga faqja e dheut njeriun, ai përgjigjet se është i hidhëruar me ne. Sipas tij, në tokë deri në zbritjen e njeriut ka pasur harmoni të shkëlqyer në mes krijesave të tjera të gjalla dhe natyrës. Secila ka marrë dhe ka dhënë aq sa të mos e prishë këtë ekuilibër. Ardhja e njeriut, mënyra e sjelljes dhe veprimet e tij që çuan deri te luftërat shkatërruese, kanë prishur këtë harmoni. Zoti si ndëshkim për këtë ka zgjedhur përmbytjen, jo për ta shkatërruar tokën, por për të pastruar me ujë nga e keqja – nga njeriu, sqaron Noah.

Legjenda për Varkën e Noas ka përbrenda shumë mësime, ani që nuk shkon përtej frymëzimit për realizimin e ndonjë filmi, pavarësisht se për më shumë së 200 vjet janë bërë kërkime të kota për gjetjen e mbetjeve të saj në lartësinë 4 mijë metra në malin Ararat të Turqisë, apo edhe besimit se një përmbytje e madhe e tipit të kiametit ose ka ndodhur, ose do të ndodhë një ditë.

Deri në përmbushjen e kësaj “profecie” njerëzimit i mbetet të përballet me ato që për të janë reale. Edhe ne që kemi hisenë e të jetuarit në këtë planet, por edhe faje për keqshfrytëzimin e natyrës, na duhet që të përballemi me kërcënimet, që mund të vijnë si përgjigje e forcës së saj. Neve që s’jemi prekur nga fatkeqësitë na duken “film”, por jo edhe njerëzve që i kanë parë me sy apo edhe ishin viktimë e tyre, si në rastin e Hasanbegut e të Restelicës.