Milioneri Abrashi, si ishte zënë duke e mashtruar shtetin e Kosovës gjatë importimit të vodkës ruse (Dok)

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe kandidati për kryetar të Prishtinës Arban Abrashi është importuesi kryesor për Kosovë i pijes me të njohur alkoolike të Rusisë “Primakov Vodka Imperial 37.5%”.

Sa ishte ministër, kompanisë së Abrashit “Laris Group”, i ishte publikuar në media tentimi për të mashtruar shtetin e Kosovës, duke e lajmëruar vodkën me çmim më të ulët se sa që realisht e kishte, kështu duke i ikur taksimit mbi këtë produkt.

Kompania e Abrashit ishte zënë nga Dogana e Kosovës pasi kishte falsifikuar dokumentacion për import të Vodkës “Primakov”. Thuhej se kompania e Abrashit kishte tentuar të fshehë vlerën reale të këtij produkti duke deklaruar fatura të rrejshme në doganë.
Zyra Doganore në Pejë, në vitin 2012, kishte konstatuar se kjo kompani po e importonte këtë produkt me çmim nën vlerën reale të tregut.

Pasi që lajmi i raportuar para disa muajve nisi të shpërndahet tani, kur Abrashi synon të bëhet kryetar i kryeqytetit, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka reaguar, për siç thotë ai, fshirjen e lajmit në disa prej medieve.

Tahiri ka publikuar edhe vendimin e Doganës ndaj kërkesës së kompanisë së Abrashit, pas ankesës për vendimin që ishte marrë ndaj kompanisë “Laris Group”.

“Para dy ditësh nëpër portale është shpërndarë lajmi për ikjen nga tatimet të ish-ministrit Arban Abrashi, në importimin e Vodkës Primakov me kompaninë e tij “Laris Group SH.P.K”. Dje, çuditërisht, nga disa prej portaleve kryesore, ky lajm ishte larguar. Me sponsorizime, lajmi mbase edhe mund të fshihet. Ama, e vërteta jo. Bashkëlidhur gjeni dokumentin e Doganave të Kosovës, përmes të cilit nuk e kanë pranuar ankesën e Abrashit, dhe kanë konstatuar se ky i fundit e ka lajmëruar Vodkën me çmim shumë më të ulët, për t’i ikur pagesës së taksave në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Tahiri.



Sipas Tahirit, qytetarët duhet ta dinë se për sa kohë Abrashi ka falsifikuar çmimin e vodkës dhe sa e ka dëmtuar kjo gjë buxhetin e shtetit.

“Çka duhet të dimë si qytetarë të Republikës, është se për sa kohë Abrashi ka falsifikuar çmimin e vodkës dhe pijeve tjera në Doganë? Sa i ka shkaktuar dëme Republikës së Kosovës? Sa kanë qenë dënimet për të nga ana e Doganës?”, ka shkruar ai.

Më parë mediat patën raportuar se Abrashi, përveç me tregtimin e pijeve, merret edhe me disa aktivitete tjera biznesore. Edhe sipas deklarimit të pasurisë, kandidati për kryetar të Prishtinës, Abrashi, del të jetë një milioner.

Abrashi nuk e ka sqaruar asnjëherë skandalin e kompanisë së tij lidhur me ikjen nga tatimi gjatë importimit të pijes ruse. /Periskopi

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme