Ministri Lutfiu: Kolegji “Jahja Kemal” nuk do të mbyllet

Ministria e Arsimit theksoi se nuk ka vendim për mbylljen e kolegjit “Jahja Kemal”. Ministri Pishtar Lutfiu as sot nuk pranoi të prononcohet për Alsat por në linjë telefonike ishte i prerë se kolegji nuk do të mbyllet. Ai përsëriti qëndrimin se kolegji i plotëson të gjitha kushtet dhe se nga 1 shtatori do të startojë me punë.

I pyetur nëse në dikasterin e tij ka mbërritur një vendim e që vetë Lutfiu nuk po e nënshkruan, ky i fundit demantoi këto informacione.

As drejtuesit e kolegjit nuk presin një vendim për mbylljen e kësaj shkolle. Zëdhënësi i kolegjit tha se mes drejtuesve të shkollës dhe MASH-it është zhvilluar një takim jo zyrtarë dhe kanë që të inkurajuar që të vazhdojnë me punë. Megjithatë në rast të vendimit për mbyllje, kolegji është i gatshëm për epilog gjyqësor.

“As nuk mendojmë për një vendim të tillë sepse nuk ka gjasa. Pse të merret një vendim i tillë, me kërkim të një shteti tjetër?! Brendi YKC është i Maqedonisë, është themeluar këtu dhe në këtë vend funksionon për 20 vite. Jemi takuar jo zyrtarisht dhe e gjitha që na kanë thënë ka qenë që të vazhdojmë me punën tonë”, deklaroi Surija Tauk, zëdhënës i “Jahja Kemal”.

Ndërkaq pas informacioneve në opinionin për mbylljen e mundshme të kolegjit “Jahja Kemal”, disa nxënës të regjistruar, janë tërhequr nga ky kolegj.

“Një numër i vogël i prindërve, të cilët, fëmijët e tyre vitin që kaloi kanë mësuar në “Jahja Kemal”, të brengosur nga situata, kërkojnë zyrtarisht që fëmijët e tyre të transferohen në shkollën tonë”, tha Shkëlqim Aliu, Drejtor i shkollës së mesme “Vëllezërit Milladinovci”, Strugë.

Tauk gjithashtu pranoi se disa nxënës janë larguar.

“Afër 12, 14 ose 16, tani mos të kapemi për shifra, janë të larguar. Mirëpo me largimin e tyre, numrin e kanë plotësuar ata që kanë pritur për regjistrim. Momentalisht mbi 10 nxënës janë riregjistruar”, deklaroi Surija Tauk, zëdhënës i “Jahja Kemal”.

Tauk shtoi se këtë vit në ciklin fillorë janë shtuar 2 paralele, ndërsa shkolla nga lagjja e Autokomandës në Shkup sot edhe zyrtarisht u transferua në lagjen Karposh. Kolegji “Jahja Kemal” në Maqedoni funksionon nga viti 1996.