Mogherni e mban dialogun Kosovë-Serbi, Haradinaj s’e sqaron si ia mori atë Merkeli e Macroni

Me tu kthyer nga Samiti i Berlinit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ia kanë marrë dialogun përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherinit.


Nuk e ka sqaruar qartë se në çfarë kuptimi thotë se ia kanë marrë, nëse kësisoj vetëm figurativisht. Kryeministria nuk i është përgjigjur interesimit të portalit Koha.net për këtë çështje.

Por zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, mohon se dialogu është marrë në ndonjë formë nga zyra e Federica Mogherinit. Ajo në një përgjigje për Koha.net thotë se mirëpresin takimet që lehtësojnë dialogun, mirëpo dialogu udhëhiqet vetëm nga Përfaqësuesja e Lartë, e mandatuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Kocijançiq ka thënë se çdo takim në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE është i dobishëm dhe mund të jetë një kontribuues.

“Dialogu lehtësohet nga Përfaqësuesja e Lartë, e mandatuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Çdo takim në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE është i dobishëm dhe mund të jetë një kontribuues, por dialogu është ai i lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Edhe Jeta Krasniqi nga KDI, thotë se Berlini zyrtar ka bërë të ditur që roli i tyre dhe i Francës në Samitin e Berlinit dhe atë të Francës është ofrimi i mbështetjes së procesit të dialogut Kosovë-Serbi, në rolin e ndërmjetësuesve të BE-së.

“Berlini zyrtar ka bërë të ditur që roli i tyre dhe i Francës në Samitin e Berlinit dhe atë të Francës është ofrimi i mbështetjes së procesit të dialogut Kosovë-Serbi, në rolin e ndërmjetësuesve të ndërmjetësuesit pra të BE-së”, ka thënë ajo.

E, deklaratat se tema e kufijve është hequr nga tavolina e bisedimeve nuk e ka bindur mjaftueshëm atë.

Ajo thotë se pavarësisht se Gjermania me këmbëngulësi është kundër temës së kufijve, Franca nuk ka paraqitur ndonjë insistim që kjo temë të mos jetë pjesë e bisedimeve.

Ndërkaq rreziku më i madh sipas saj është vetë skena politike në vend, pasi që thotë se liderët që përfaqësojnë Kosovën në atë tavolinë, nuk kanë qëndrim të unifikuar.

“Gjermania e ka shprehur qartazi qëndrimin e saj kundër çfarëdo formati të ndryshimit të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa Franca nuk është artikuluar me të njëjtën gjuhë kategorike kundër diskutimeve të tilla. Tashmë është mese e qartë që diskutime rreth asaj çfarë presidenti Thaçi e ka quajtur si ‘korrigjim kufijsh’ është zhvilluar në mes palëve, gjë që e ka shtyrë edhe Gjermaninë zyrtare të jetë më e zëshme kundër këtij opsioni. Edhe pse është deklaruar që kjo ide është ‘fundosur’ në Samitin e Berlinit duket qartazi që qasja e palës kosovare është ende e paunifikuar dhe një pjesë e saj ende e gatshme të diskutoj për mundësinë e ‘korrigjimit të kufijve”, ka thënë ajo.

Ndonëse kryeministri kishte deklaruar se kancelarja Merkel dhe presidenti Macron ia kanë marrë dialogun përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherinit, ai nuk e ka sqaruar se në çfarë forme i është marrë. Koha.net ka provuar të marrë përgjigje nga Zyra e Kryeministrit dhe dy negociatorët e dialogut Kosovë-Serbi, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, mirëpo as ata nuk janë përgjigjur.

Haradinaj në një paraqitje të tij pas Samitit të Berlinit ka thënë se kancelarja Merkel dhe presidenti Macron ia kanë marrë çështjen e dialogut Mogherinit, gjë që sipas tij, tregon se më nuk ekziston tema e territoreve. Ai ka thënë po ashtu se rreziku i dorëzimit të sovranitetit ka kaluar për Kosovën.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme