Mourinho i inatosur me taktikën e Contes

Jose Mourinho ua ka kujtuar mediave angleze, se stili i tij i lojës me mbrojtje të fortë dhe kundërsulme të shpejta, dikur kritikohej ashpër por sot vlerësohet lartë, duke aluduar kështu në mënyrën se si luan sot Chlsea nën udhëheqjen e Antonio Contes.

“Ekipi im po luan shumë mirë. Por, për vite të tëra në karrierën time, veçanërisht në këtë vend, kur ekipet e mia ishin të pakalueshme dhe fenomenale në mbrojtje dhe shumë të mira në kundërsulme, me kalimin kohës thuhej se nuk është mjaftueshëm për të fituar tri herë me radhë titullin” ka thënë portugezi.

“Tani duket se të jesh fenomenal në mbrojtje dhe i mirë në kundërsulme është art, andaj ka një ndryshim të madh në Angli. Por, unë nuk dua që Manchester United të ndryshojë stilin e lojës, kjo është mënyra se si tifozët kërkojnë të luajmë, kështu dëshiron edhe klubi”, shpjegoi Mou.

“Megjithatë, nuk dua as të jem menaxher i një ekipi që luan mirë, krijon raste shënimi por nuk i fiton ndeshjet. Duhet të shënojmë gola dhe e bëmë këtë”, theksoi ish trajneri i Chelsea.

Pas fitores kundër Liecester Cityt, Manchester United zë vendin e gjashtë, por vetëm me katër pikë dallim nga Manchester City në pozitën e tretë.