Mundësia për ndryshimin e kufijve, a po i vjen koha për zbatim planit amerikan?

Nga Xhevdet Pozhari

Pavarësisht zhvillimeve të shumta politike në një shtet të vogël që prodhon shumë ngjarje, shpeshherë edhe qëllimshëm, për ta laguar mendjen e popullatës nga realiteti, ajo që mbetet si frikë e fshehur tek secili shqiptar i Kosovës, është ndryshimi i qëndrimeve amerikane në raport me ndarjen e Kosovës. Ose, ndryshe thënë, shpalosja e planeve të vërteta të cilave u ka ardhur koha të vihen në zbatim duke shpalosur të vërtetën se hartat e Ballkanit ende nuk kanë përfunduar.

Tash, kur opinioni vetëm është njohur me këtë mundësi, ka filluar edhe loja e njohur e liderëve politikë të cilët kanë hyrë në garën e “patriotizmit”, e që një ditë të nënshkruajnë secilën marrëveshje që janë të obliguar – siç ishte rasti i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Andaj, jo rastësisht Kosova udhëhiqet nga burrështetas të cilët janë në pozita falë kombinatorikave politike, koalicioneve të gjysmës së natës, e jo të atyre që i votoi populli. Ngaqë, ata janë më të përdorshmit për shtetet të cilat e kanë humbur energjinë dhe nuk kanë kohë të merren më gjatë me një shtet i cili numëron mbi 100 zv/ministra, por që nuk dëshmoi kapacitete shtetndërtuese.

Sigurisht, se kjo javë do të mbahet mend edhe për ndarjen nga jeta të veprimtarit Adem Demaçi, vdekja e të cilit ishte e zhurmshme siç ishte edhe vetë jeta e tij. Vdekja e tij do të shpërfaqte edhe një herë polaritetin që ka ekzistuar gjithmonë dhe vazhdon të ekzistojë në shoqërinë tonë.

Megjithatë, jo pak zhurmë ngjallën edhe veprimet e klerikëve fetarë! Një kardinal që u raportua se kishe marrë pjesë në vënien e gurëthemelit të katedrales në Prishtinë u përfshi në abuzime seksuale, ndërsa në anën tjetër në rrjetet sociale filluan të transmetohen video me deklarime të ndryshme të hoxhallarëve, cilat më të çuditshme se tjetra!

Dhe, si rëndom, masa shpejt u pozicionua.

Edhe një herë, kushedi për të satën herë filloi të zbatohet strategjia e ngjalljes së debateve fetare për t’iu ikur problemeve reale, të shkaktuara nga burrështetasit tanë.

Temat për fetë, konfliktet e jashtme… “gjeopolitikat”, vazhdojnë të ngjallin debate në shoqërinë tonë. Secili e ngrisim zërin, pozicionohemi lehtësisht në njërin taborr apo tjetrin. Bëhemi palë në një betejë që nuk dihet as ku e ka fillin e as kur do ta ketë fundin.

Por, kur janë në pyetje problemet tona konkrete me të cilat ballafaqohemi si shoqëri, – me përjashtim të përkrahësve të partive opozitare -, ne të tjerët shndërrohemi thuajse në “shurdh-memecë”. Na funkcionojnë vetëm shqisat e të pamurit.

Arsyet shpeshherë janë të dhimbshme: një vend pune, një premtim, pak shpresë… thuajse na e paralizon mekanizmin e veprimit.

Jo rastësisht thuhet se diktatorët ushqimin më të preferuar e kanë heshtjen e popullit, agoninë, zvarritjen e shpresës… se vetëm kështu e ndërtojnë parajsën e tyre mbi tokë, dhe sjellin ferrin për ne, banorët e vdekshëm e kalimtarë të rastit!

Por, nuk ka gjë më të panatyrshme se sa të kërkosh nga një gazetarë që mos të shkruaj! Është e njëjta sikur të kërkosh nga një rrobaqepës mos të qepë apo nga një furrtarë mos të prodhojë bukë.

Prandaj, jo rrallëherë mbesim vetëm me të vërtetën tonë përballë masave që ndjekin pas një parti, individ apo kauzë.

E, ta thuash të vërtetën tënde në këto rrethana kërkon guxim. Guxim të cilin nuk e njohin ata që para shefave të tyre njohin vetëm fjalën “Amin”. Ata që nuk e kanë kuptuar se “Amin” i thuhet vetëm Zotit, e jo cilitdo robi. Megjithatë, përkundër kësaj, edhe sot e kësaj dite militantë të taborreve të ndryshme janë të gatshëm të t’i nxjerrin sytë nëse e thua edhe një kritikë më të vogël për hoxhallarët që i kanë shndërruar me pa vetëdije në idhuj. E, idhujtaria dihet se çfarë konsiderohet të paktën në fenë Islame!

Sidoqoftë, java që po e lëmë pas ishte lajmëtare e zgjedhjeve të reja në Kosovë, paralajmëruese për referendumin që pritet të mbahet në Maqedoni, dhe betejë e pafundme më shumë propaganduese sesa politke në Shqipëri.

Pavarësisht zhvillimeve të mëtutjeshme, me shumëçka do të mbahet mend edhe zhurma e masave për temat fetare dhe heshtja e tyre e varrit për tema që e ngarkojnë të sotmen tonë, e për të cilën paguajmë dhe do vazhdojmë kosto të lartë. Kështu jo vetëm që do të tradhtojmë idealet e të parëve tanë, por nuk do të mund të shpëtojmë as edhe nga mallkimi i brezave që do të vijnë.

Lini Një Koment