Ndihma për të strehuarit në konvikte nga organizta humanitare Hilal

Një numër i konsiderueshëm i banorëve të viseve të vërshuara në rrethinën e Hasanbegut, si pasojë e katastrofës natyrrore strehim të përkohëshëm gjetën nëpër konviktet e studentëve. Nën organizimin e drejtorisë me në krye drejtorin Lulzim Xhemailin, u strehuan mbi 200 persona të etnive të ndryshme të cilët humbën gjithçka si pasojë e vërshimave katastrofale.

Edhe sot, nëpër këto konvikte gjenden të strehuar një numër i konsiderueshëm prej tyre, të cilët u vizituan nga OH HILAL e Bashkësisë Fetare Islame. Me këtë rast, drejtori i kësaj Organizate, Mustafa ef. Dauti, drejtorit të konvikteve Lulzim Xhemailit, ia dorëzoi 100 pako me produkte të ndryshme të cilat ju dedikohen të strehuarve të përkohëshëm nga rrethina e Hasanbegut.

Drejtori Xhemaili, pas pranimit të këtij kontigjenti me ndihma nënvizoi se OH HILAL edhe një herë dëshmoi se gjithnjë ka qenë dhe është në terrenin e goditur nga katastrofa natyrore dhe se ka qenë në krah të këtyre banorëve gjithandej ku kanë qene të shpërndarë.

“Me këtë aksion të shtrirë edhe në qendrën tonë, dëshmohet se “Hilal”-i mbetet Organizatë e cila i qëndron konsekuent planit të vet aksional për të qenë me këtë shtresë të popullatës së dëmtuar rënd nga katastrofa natyrore, edhe atë deri sa të gjejnë rehatinë e jetës normale. Në emër të Drejtorisë së Konvikteve Studentore e përgëzoj këtë Organizatë Humanitare për tërë atë kontribut që po e jep pa rreshtur”, është shprehur drejtori Lulzim Xhemaili.

Nga ana e vet, Drejtori i OH HILAL, Mustafa ef. Dauti, edhe një herë ka nënvizuar se prioritet i kësaj Organizate mbeten shpërndarja e ndihmave që ju dedikohet banorëve të goditur nga katastrofa natyrore.