Në Bruksel vazhdon dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit

Në Bruksel sot pritet të vazhdojë raundi i ri i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Qëllimi i këtij takimi do jetë zhbllokimi i procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më 25 gusht 2015, të cilat janë bllokuar nga ana e Serbisë tash një vit. Ky takim vjen si rezultat i rritjes së angazhimeve të BE-së për zhbllokimin e proceseve zbatuese në dialogun e Brukselit.

Ndërkohë, përmes një komunikate për media nga zyra për komunikim e Qeverisë së Kosovës, bëhet e ditur se ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka udhëtuar dje në Bruksel për të marrë pjesë në raundin e ri të bisedimeve, të thirrur nga Bashkimi Evropian.

Ajo pritet të zhvillojë takim me drejtoreshën për çështjet e Evropës Juglindore të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, Angelina Eichhorst, ku do kërkojë që Serbia të heq bllokadat dhe zbatojë marrëveshjet për çështjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën, pavarësimin e KOSTT-it dhe largimin e barrikadës nga ura e Mitrovicës.

Poashtu bëhet e ditur se ministrja për dialog do të ritheksojë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se mos zbatimi i këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë, flet qartazi për shkeljet serioze që pala serbe ia bënë marrëveshjeve të Brukselit të nënshkruar nga Kryeministrat e dyja shteteve dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini.

“Ministrja Tahiri po ashtu, do të rikonfirmojë qëndrimin se zbatimi i këtyre tri marrëveshjeve mund të hap rrugën e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku si kusht kryesor është zhbërja e plotë e të gjitha strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë, si dhe që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes, sepse këto kompetenca nuk i lejohen nga ligjet Kushtetuta e Kosovës, dhe se Marrëveshja bazohet në Ligjet e Kosovës”.

“Gjatë ditës së nesërme pritet të ketë një raund të veçantë të bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes për çështjet e telekomunikacionit përkatësisht kodit telefonik ndërkombëtar për Kosovën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në këto bisedime, ministrja Tahiri do të jetë e shoqëruar nga ekipi i ekspertëve të Republikës së Kosovës për çështjen e telekomunikacionit”.

Për sa i takon çështjes së heqjes së barrikadës dhe revitalizimit të Urës së Mitrovicës, Ministrja Tahiri do të kërkojë që BE-ja të realizojë obligimin e vet për këtë çështje, sepse sipas marrëveshjes së 25 gushtit 2015 është e autorizuar të bëjë këtë veprim, transmeton Klan Kosova

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë