Në Kosovë vetëm këtë vit 986 raste me kancer

              E enjte, 03 Nentor 2016  – Sakte.net  /

Numri i qytetarëve të Kosovës të cilët po diagnostikohen me sëmundjen e kancerit po del të jetë i lartë. Për dhjetë muajt e parë të këtij viti në Institutin e Onkologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës rreth 986 persona janë diagnostikuar me këtë sëmundje.

Shifër kjo, dukshëm më e lartë se sa statistikat e vitit të kaluar, ku për gjithë vitin numri i qytetarëve të diagnostikuar me kancer ishte 808.

Këto të dhëna i ka bërë të ditura drejtori i këtij Instituti, Ekrem Hyseni.

Ai shpjegoi se rastet më të shpeshta të kancerit janë ato të gjirit te gratë si dhe kanceri i mushkërive.

“Në përgjithësi rastet janë në vartësi të patologjisë dhe prijnë rastet me kancer të gjirit tek gratë dhe kanceri i traktit gastrointestinal dhe i mushkërive vijnë në rend të dytë dhe tretë”, shpjegon Hyseni.

Ai thotë se deri në muajin tetor të këtij viti 217 raste të kancerit të gjirit tek femrat janë diagnostikuar në Kosovë. Drejtori i Institutit të Onkologjisë në QKUK, bënë të ditur se deri në fund të vitit numri I atyre që mund të diagnostikohen me kancer mund të arrijë deri në 1200 persona, që i bie 300 persona më shumë se sa në vitin 2015.

E pavarësisht numrit të madh të kosovarëve që janë prekur nga kjo sëmundje, Hyseni thotë se Klinika e Onkologjisë ka pasur furnizim stabil për mjekimin e tyre.

“Në përgjithësi kjo klinikë ka pasë një furnizim stabil me citostatikë duke ofruar mjekimin me kimioterapi dhe radioterapi gjatë gjithë kohës. Ky shërbim iu është ofruar edhe pacientëve nga Presheva, Bujanovci, Medvexha dhe për mjekimin e kancerit të trurit kimioterapi ju është ofruar edhe për pacientët e Shqipërisë”, bënë të ditur drejtori i kësaj klinike.

38 fëmijë me sëmundje malinje po trajtohen në klinikën e Pediatrisë

Nga sëmundjet malinje në Kosovë janë duke u rrezikuar edhe fëmijët.

Në repartin e Hemato-Onkologjia e Pediatrisë, klinika e Pediatrisë, që nga janari e deri në muajin tetor kanë qenë 39 raste të reja të fëmijëve që janë diagnostifikuar me leukemi akute.

Violeta Grajqevci, shefe e Repartit, ka thënë se në trajtim për momentin janë 38 raste me sëmundje malinje, por që sipas saj ka edhe raste që e kanë kryer terapinë dhe janë të rregullt në kontrolla sistematike.

Grajqevci thotë se furnizimi me barna për këtë sëmundje nga Ministrisa e Shëndetësisë është i pjesshëm.

“Furnizimi me barëra është i përsëritshëm por neve na dalin në ndihmë ” Organizatat Humanitare” për sigurimin e kimioterapisë dhe materialit harxhues”, thotë shefja e repartit të klikës së Pediatrisë. Ajo shpjegon se për momentin asnjë fëmijë nuk është duke pritur për shërim jashtë vendit.

Ndërkohë që në Ministrinë e Shëndetësisë, gjatë gjithë vitit 2016 12 fëmijë kosovarë të diagnostifikuar me sëmundje malinje kanë kërkuar ndihmë për shërim jashtë vendit. 9 prej tyre kanë përfituar ndihmë financiare.

“…prej tyre 9 kanë përfituar përkrahje financiare ku shuma totale është rreth 854 8300 euro. Ndërsa, 3 prej tyre nuk kanë sjell profatura, ku parashihet përafërsisht kostoja e trajtimit të tyre dhe rrjedhimisht nuk kanë mundur të shqyrtohen nga ana e Bordit Ekzekutiv të TMJISHP-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sidoqoftë, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, patën deklaruar se sipas disa hulumtimeve të bëra nga Banka Botërore vitet paraprake, për një vit, pacientët kosovarë kanë shpenzuar rreth 80 milionë euro për t’u shëruar jashtë vendit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme