Në saje të përgjimeve, policia pengoi aksionin simbolik të Vetëvendosjes në Pejë

Policia e Kosovës ndaloi furgonin e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili bartte zërimin për aksionin simbolik, që do të mbahet në komunën e Pejës, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje. Patrulla, e cila ndaloi furgonin, ka përcjellë atë nga Prishtina, ndërsa ndalimin e ka bërë me arsyetimin se kanë urdhër nga lart që të ndalohet automjeti me këto targa.

Siç edhe po shihet, Policia e cila është shndërruar në instrument të klanit “Pronto”, po përgjon dhe po përcjell çdo aktivitet të Lëvizjes Vetëvendosje, ngjashëm siç veprohet nga regjimet autoritare me subjektet opozitare. Në vend që të luftojë strukturat paralele dhe grupacionet e tjera kriminale, kjo polici merr urdhër që të ndjekë automjetet e Vetëvendosjes.

Lëvizja Vetëvendosje e konsideron këtë akt të papranueshëm dhe kundërshton të gjitha këto taktika policore, që janë karakteristikë e shteteve autoritare. Me këto veprime asesi nuk do të ndalet angazhimi ynë i përditshëm për çlirimin e shtetit dhe për ndërtimin e një Republike demokratike të qytetarëve, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.