Nëna e dy të vrarëve në gjykatë: Gjakun e djemve e kam parë në malin e familjes Panxha

Nëna e dy djemve të vrarë Arsim dhe Ramiz Berisha, e dëmtuara Shake Berisha, ka deklaruar se gjakun e djemve të saj, e kishte gjetur në malin e familjes Panxha.

Këtë deklaratë nëna e viktimave e ka dhënë në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, ku për vrasjen e Arsim dhe Ramiz Berisha po akuzohet i pandehuri Binak Panxha.

Panxha akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes të rëndë ndaj vëllezërve Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha, më 21 korrik të vitit të kaluar, në pyllin e fshatit Kosuriq të Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nëna e viktimave ka rrëfyer për rastin, ku ka thënë se në natën kritike dy djemtë e saj Arsimi dhe Ramizi, së bashku me Jetlir Gashin, kishin shkuar në mal për të prerë dru.

“Fëmijët e mi bashkë me Jetlirin kanë shkuar në malin tonë për të prerë dru, ata kanë shkuar me dy kerre me kuaj”, ka deklaruar ajo, duke thënë se më pas për rastin e kishte njoftuar Jetlir Gashi, i cili i kishte treguar se dikush i kishte gjuajtur me armë.

Kur ajo kishte dëgjuar për ngjarjen nga Jetlir Gashi, ajo ka thënë se kishte shkuar në mal me kunatin e saj, Shkëlzenin.

“Kam shkuar më Shkëlzenin, kunatin në mal ku ka ndodhë ngjarja dhe aty e kam parë gjakun në malin e Panxhajve. Prej malit kem shku te shtëpia e Panxhajve dhe aty s’ka qenë as Binaki e as Valoni, por vetëm ka dalë Xhavit Panxha dhe e kam pyet ku mi keni lanë djemtë”, ka thënë ajo.

Sipas Berishës, djemtë e saj asnjëherë nuk kishin prerë malin e familjes Panxha, por sipas saj, ata vetëm i kishin rënë andej për të shkuar në malin e tyre, duke kaluar përmes malit të “Panxhajve”.

Ajo ka thënë se në vrasjen e djemve të saj, nuk kishte gisht vetëm tani i akuzuari, por edhe persona të tjerë, pasi sipas saj, pas vrasjes të dy viktimat ishin tërhequr zvarrë 60 metra, për t’i fshehur provat e krimit.

“Këta kanë dashtë mi marr kufomat e mi mbulu krimin dhe i kanë ngre zhag 60 metra për mi hup”, ka shtuar ajo.

Ajo ka kundërshtuar që të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit së të akuzuarit Binak Panxha, avokatit Osman Cucoviq.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 24 shtator 2018, Shake Berisha kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, duke kërkuar që këtë çështje penale të gjykojë një gjykatëse grua, mirëpo, një kërkesë e tillë është refuzuar nga ana e kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë.

Gjithashtu, në seancën e së enjtes, palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse.

Prokurori Agron Galani, në fjalën e tij hyrëse, ka theksuar se fajësia e të pandehurit Binak Panxha do të argumentohet në shqyrtimin kryesor, pas administrimit të provave materiale dhe dëshmive të dëshmitarëve të propozuar në aktakuzë.

Mirëpo, në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Osman Cucoviq, e ka kundërshtuar aktakuzën si të pa mbështetshme dhe të pabazuar.

Sipas tij, aktakuza është e mbështetur në deklaratat e ish të pandehurve Xhavit dhe Valon Panxha, të cilët për të njëjtën vepër penale, ishte mbyllur hetimi.

“Si është e mundur që një akuzë të ngritet në bazë të deklaratave të ish të dyshuarave dhe tani të thirren si dëshmitarë”, ka deklaruar avokati, duke kërkuar që deklaratat e ish të pandehurve të veçohen nga shkresat e lëndës.

Mirëpo, një propozimin i tillë është refuzuar nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu.

Seanca e radhës do të vazhdojë nesër, më 14 dhjetor 2018, prej orës 10:00, ku do të dëgjohet si dëshmitar, Xhavit Panxha.

Ndryshe, në seancën fillestare të 17 gushtit 2018, Binak Panxha ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën që i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Binak Panxha akuzohet se më 21 korrik 2017, rreth orës 21:30, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha.

Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të pandehurit.

Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drurë në pyllin e të pandehurit.

“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre se bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirr tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.

Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme