Nga një muaj paraburgim zyrtarit shqiptar në Ministrinë e Diasporës dhe gardianit serb për ryshfet

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Stefan Veliqkoviq për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’ nga neni 428 par.1 të KPK-së dhe të pandehurit Petrit Mustafa për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Marrja e ryshfetit nga neni 429 par.1 të KPK-së.

Të pandehurve Stefan Veliqkoviq dhe Petrit Mustafa iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç nga dt.07.11.2018 deri me dt.07.12.2018.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Stefan Veliqkoviq gjatë periudhës kohore korrik – gusht 2018, nga i pandehuri Petrit Mustafa i kishte marr 3.000 euro ryshfet dhe dy telefona celular, gjatë kohës sa i pandehuri Stefan Veliqkoviq ishte në detyrë zyrtare si gardian i burgut të sigurisë së lartë në fshatin Dyz”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Stefan Veliqkoviq dhe Petrit Mustafa është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, po ashtu duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën janë kryer veprat penale, peshën e veprave penale, ashtu që nëse të pandehurit qëndrojnë në liri do të mund të përsërisnin veprat e njëjta apo të ngjashme penale.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Lini Një Koment