Qyteti kulturor i Prizrenit është bërë shtëpia e dytë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ngaqë sot me një ceremoni solemne është bërë zhvendosja e kabinetit të ministrit dhe dy departamenteve që do të funksionojnë në këtë qytet, përkatësisht i Kulturës dhe ai i Trashëgimisë Kulturore.
Zyrat e kësaj Ministrie kanë zënë vend në ish-ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prizrenit në sheshin Shatërvan, e cila është rinovuar për nevojat e MKRS-së.
Për kryeparlamentarin Kadri Veseli, Prizreni prej sot do të ketë qendrën e vet kulturore.
Sipas tij, Prizreni është traditë dhe identitet i shqiptarëve, por dhe të njëjtën kohë është gërshetim i kulturave të ndryshme. Ai po ashtu bëri të ditur se në Prizren do të ketë dhe institucione tjera që do të zhvendosen.