Nis pyllëzimi i rreth 300 hektarëve tokë pyjore në Kosovë

Ka filluar projekti i përvitshëm “Pyllëzimi i sipërfaqeve të zhveshura dhe mirëmbajtja e tyre edhe për dy vite në vazhdim”, ku deri më 15 nëntor, është planifikuar të pyllëzohen 295 hektarë.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Bujqësisë, ky projekt është duke u financuar nga MBPZHR – Agjencia Pyjore e Kosovës dhe është duke u implementuar nga dy kompani që janë kontraktuar.

“Sipërfaqja e përgjithshme e planifikuar për pyllëzim është 295 hektarë e ndarë në 3 Llote të ndryshme në të gjithë Kosovën. Edhe këtë vit fidanët për pyllëzimin e këtyre sipërfaqeve janë marrë nga Fidanishtja pyjore që gjendet në fshatin Araberd të Istogut, e që është pjesë e Agjencisë Pyjore të Kosovës. Punimet janë duke u monitoruar nga Agjencia Pyjore e Kosovës, në bashkëpunim edhe me Autoritetet Pyjore Komunale. Projekti vetëm për pyllëzim ka filluar me datë 1 tetor 2016 dhe pritet të përfundoj deri me 15 nëntor 2016, ndërsa mirëmbajtja e tyre do të bëhet deri në fund të vitit 2018. Po ashtu me kërkesën e Komunës së Fushë-Kosovës, Agjencia Pyjore e Kosovës i ka ofruar një numër prej 25.000 fidanësh falas, për pyllëzimin e një sipërfaqe prej 10 hektarë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ndërsa projekti i dytë që është duke u implementuar nga APK-ja, është edhe ai i “Mirëmbajtjes së pyllëzimeve të realizuara në vjeshtën e vitit 2015”.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, edhe ky projekt është duke u financuar nga MBPZHR – Agjencia Pyjore e Kosovës, dhe sipërfaqja e përgjithshme që duhet të mirëmbahet është 172 hektarë. Punimet janë duke u zhvilluar nga një kompani e vetme, e cila është përgjegjëse për mbarëvajtjen e këtij projekti deri në fund të vitit 2017.